Ballina / Lajme / Kosovë / DYSHIME SE QENDRA KINEMATOGRAFIKE FALSIFIKOI RREGULLOREN

DYSHIME SE QENDRA KINEMATOGRAFIKE FALSIFIKOI RREGULLOREN

Komuniteti i kineastëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin e tyre për miratimin nga Ministria e Kulturës të Rregullores për Punën e Jurisë Vlerësues të Projekteve. Ky komunitet dyshon se ajo rregullore është falsifikuar në procedurë, duke mos i marrë parasysh vërejtjet e Këshillit Drejtues të QKK-së. Këto pretendime i ka mohuar ish-ministri Kujtim Shala.

E gjithë kjo nisi me kërkesën e komunitetit të kineastëve kosovarë dhe me iniciativën e Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK) për hartimin e Rregullores për Punën e Jurisë Vlerësuese të Projekteve.

U themelua edhe grupi punues në të cilin kanë marrë pjesë anëtarë të shoqatave të producentëve, anëtarë të këshillit drejtues të QKK-së, drejtori i QKK-së dhe zyrtarë tjerë të Ministrisë së Kulturës.

Pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore, drafti i rregullores nga grupi punues i ishte dorëzuar MKRS-së.

Megjithatë, Këshilli Drejtues i QKK-së nuk ishte pajtuar me draftin dhe kishte bërë disa ndryshime, të cilat i kishte miratuar si të tilla dhe ia kishte dorëzuar tashmë ish-ministrit Kujtim Shala për miratim.

Ndër tjera, Këshilli Drejtues i QKK-së kishte propozuar që në jurinë vlerësues të mos përfshihen edhe dy anëtarë të huaj.

“Neni2, pika 4 largohet: Së paku 2 (dy) nga anëtarët e jurisë vlerësuese të filmit artistik të metrazhit të gjatë duhet të jenë të huaj – ekspertë të fushës së kinematografisë”, thuhet në vendimin e Këshillit Drejtues të QKK-së, të cilin e posedon Gazeta Insajderi.

Këshilli kishte thënë se këtë ndryshim e bazon në kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore.

Në Ligjin për Kinematografinë, neni 29, thuhet se Këshilli Drejtues e ka për detyrë miratimin e rregulloreve.

“Miraton propozimin e statutit të QKK; rregulloren për punën e vet e të jurive profesionale; rregulloren për miratimin dhe subvencionimin e projekteve filmike dhe të aktiviteteve tjera, rregulloren për vizionimin e veprave filmike që do të shfaqen publikisht në Kosovë”, thuhet në nenin 29 të Ligjit për Kinematografinë.

Pavarësisht kësaj, kërkesat e Këshillit nuk ishin përfshirë në Rregulloren përfundimtare të miratuar nga ish-ministri i Kulturës, Kujtim Shala.

Kurse komiteti i kineastëve të Kosovës, që përshinë Unionin e Artistëve të Filmit (UAFK) dhe Shoqatë e autorëve dhe producentëve të kinematografisë (Arte 7), dyshojnë se kjo Rregullore u falsifikua.

“Dyshohet se në rrugë e sipër, rregullorja e miratuar nga Këshilli është falsifikuar dhe është kontrabanduar nga QKK përmes Zyrës Ligjore të Ministrisë së Kulturës për aprovim dhe nënshkrim te ministri”, thuhet në reagimin e tyre.

Ky komunitet i kineastëve konsideron se rregullorja me nenet e përfshira që bien ndesh me Ligjin për Kinematografi në shumë pika edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, janë aprovuar nga ministri duke qenë dokumente tjera të falsifikuara.

Ish-ministri thotë se kështu iu propozua nga Zyra Ligjore

Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe i Sportit, Kujtim Shala, lidhur me këtë Rregullore, ka thënë se Zyra Ligjore ia kishte rekomanduar për nënshkrim pasi janë kryer të gjitha procedurat.

“Sipas procedurës standarde, ministri Rregulloret dhe aktet e tjera nënligjore i nënshkruan pasi ato të trajtohen nga Zyra Ligjore dhe të rekomandohen nga kjo Zyrë për nënshkrim. Zyra Ligjore i zhvillon diskutimet me propozuesin dhe jo Kabineti i Ministrit”, ka thënë për Insajderin ish-ministri Shala.

Sipas tij, aktet që nuk duhet t’i nënshkruajë ministri, Zyra Ligjore nuk ia përcjell fare për nënshkrim.

Por nënshkrimin e tij ish-ministri e sheh vetëm si veprim për t’i dhënë fuqi ligjore një akti.

“Sipas logjikës juridike që ndiqet në këto raste, nënshkrimi i Ministrit i jep fuqi ligjore më të madhe një akti të tillë, meqë Këshillat Drejtues janë trupa të Ministrit, të emëruar me vendimin e tij”, ka shtuar ai.

Veprimin e tij Shala thotë ta ketë bazuar në kompetencat e tij ligjore.

“Ministria e Kulturës merr të gjitha masat për të siguruar zbatimin e duhur dhe efektiv të këtij ligji, duke përfshirë edhe miratimin e akteve nënligjore për zbatimin e tij”, ka thënë Shala duke e cituar nenin 23 të Ligjit për Kinemafografinë.

Ai shton se Zyra Ligjore dhe ministri punojnë në mbështetje të këtij neni, duke pasur parasysh se Ministria është autoriteti themelor. Dhe krejt kjo, sipas tij, është paraparë për të shmangur propozime dhe miratime të ndonjë akti që do të mund të binte ndesh me ligjin.

Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarim edhe nga Zyra Ligjore e MKRS-së. Drejtori i kësaj zyre, Feim Hoxha, nuk ka dhënë detaje të mëdha, përpos që ka thënë se ish-ministri Shala i ka marrë parasysh rekomandimet e grupit punues.

“Z. Shala i ka marrë për bazë rekomandimet e grupit punues të kësaj rregullore (pjesë e të cilit kanë qenë edhe Këshilli Drejtues) dhe e ka miratuar rregulloren në formën që është sot”, ka thënë Hoxha.

Kurse për miratimin e kësaj Rregulloreje, ka thënë se ish-ministri është bazuar në kompetencat e tij ligjore. Hoxha nuk e ka komentuar deklaratën e ish-ministrit i cili ka thënë se Zyra Ligjore ia kishte rekomanduar nënshkrimin e Rregullores.

Jusufi: Kërkuan ndryshimin e Rregullores sepse ishte në shpërputhje me Ligjin  

Kryesuesi i Këshillit Drejtues të QKK-së, Selman Jusufi, e ka konfirmuar për Insajderin se ata kishin kërkuar që Rregullorja për Punën e Jurisë Vlerësuese të Projekteve të ketë disa ndryshime, me arsyetimin se Rregullorja dhe Ligji nuk janë në harmoni të plotë.

Po Këshilli Drejtues ka kërkuar të bëjë disa ndryshime në rregullore vitin e kaluar pasi Rregullorja dhe Ligji nuk janë në harmoni të plotë. Konkretisht kur është fjala për Jurinë e konkursit ne kemi dashtë që juria të jetë vendore, nacionale siç është edhe Konkursi për projekte”, ka thënë për Insajderin Jusufi.

Ai ka thënë se Rregullorja i kërkon së paku dy anëtarë ndërkombëtarë. Por, sipas tij, kjo nuk e dëmton rezultatin e konkursit.

Jusufi e ka pranuar se fakti që Rregullorja i parasheh dy anëtarë ndërkombëtarë të jurisë, u shkakton më shumë shpenzime për shkak se skenarët duhet të përkthehen edhe anglisht.

“Qendra ka pak shpenzime pasi projektet e metrazhit të gjatë duhet të përkthehen në anglisht”, ka thënë Jusufi për Insajderin.

Megjithatë, ai beson se gjatë këtij viti do të shqyrtohen sërish kërkesat e kineastëve.

“Këshilli besoj do të kërkojë që këtë vit të ndodhin këto ndryshime dhe eventualisht disa të tjera që janë edhe kërkesë e producentëve dhe kineastëve kosovarë”, ka shtuar ai.

Nga /Insajderi.com

Loading...

Shikoni gjithashtu

Halil Kastrati i bene surpriz Behxhet Pacollit kete gje ne Kojshia Show (Foto+Video)

Halil Kastrati i bene surpriz Behxhet Pacollit kete gje ne Kojshia Show. Emisioni me i …