Ballina / Lajme / Kosovë / Flet taksisti për sulmin me zollë ndaj Kuvendit: Vajza më dha një kifle, kështu e mbajta mend
Loading...

Flet taksisti për sulmin me zollë ndaj Kuvendit: Vajza më dha një kifle, kështu e mbajta mend

Në gjykimin e katër aktivistëve të Vetëvendosjes për sulmin në Kuvend taksisti Remzi Zogiani tha se nuk ishte i sigurt kur identifikoi një vajzë që e voziti nëpër Prishtinë.

Taksisti Remzi Zogiani që ushtron që gjashtë vjet këtë profesion, i vendosur afër hotelit “Swiss Diamond”, në gjykimin e katër aktivistëve të Vetëvendosjes për sulmin në Kuvend tregoi se ishte marrë në pyetje nga policia lidhur me dërgimin e një vajze nga një pikë në një pikë tjetër të kryeqytetit.

Ramiz Krasniqi, avokati i Atdhe Arifit, e pyeti dëshmitarin se a ka dyshuar kur e ka identifikuar fotografinë e vajzës që e barti me veturën e tij.

“Në bazë te moshës kam thanë që mundet me qenë kjo. Po vetëm kam supozuar”, tha dëshmitari.

Zogiani tregoi se kur bëri identifikimin kishte para vetes katër-pesë fotografi të personave të ndryshëm dhe me moshë të ndryshme.

Ai bëri të ditur se identifikimin e vajzës e kreu pasi policia i lëshoi videon ku ajo shihej të hynte në makinën e tij.

“Së pari i kam parë videon që më ka treguar policia dhe pastaj e kam dhanë përshkrimin”, shpjegoi dëshmitari.

Avokati Krasniqi i kërkoi dëshmitarit që të përshkruajë si dukej vajza që atë ditë hyri në makinën e tij.

“Me aq sa kam mbajtë mend ka pasë flokë deri në krahë dhe kur ka hyp në veturë ka pasë një fustan komplet njëpjesësh. Tjetër nuk më kujtohet”, tha dëshmitari.

Taksisti Zogiani më tutje duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Abdurrahim Islami, rrëfeu që kishte thënë në polici se nuk e kishte parë fytyrën e vajzës që e dërgoi me makinë nga “Swiss Diamond” në “Breg të Diellit” dhe nuk ka mundur ta mbajë mend atë.

Por bëri të ditur se një detaj që ia tregoi policia “hodhi dritë” në kujtesën e tij.

“Policia më thanë se ka qenë duke i hangër disa kifle, pastaj mu kujtua se e kam transportuar rrugës dhe pastaj mu kujtua se ma ka dhanë një kifle dhe mu kujtua se ku e kam dërguar”, sqaroi dëshmitari.

Prokurori e pyeti pastaj dëshmitarin se personi që i dha kiflen a ishte i njëjti me atë që u tregoi policia.

“Po personi i njëjtë ishte”, tha dëshmitari.

Adea Batusha është e akuzuara e vetme e gjinisë femërore në lidhje me sulmin në Kuvend.

Pas arrestimit të të akuzuarve policia në një konferencë për shtyp kishte treguar lëvizjet e tyre, por edhe Vetëvendosja më pas rrëfeu versionin e saj se ku ndodheshin aktivistët e akuzuar në ditën e sulmit./kallxo/G.Express/

Shikoni gjithashtu

Kush është Manuella Koni dhe pse është e nevojshme për një mandat në Kuvendin e Kosovës…?

Bëhet fjalë për kandidaten për deputeten nga radhët e PEK-ut, Manuella Koni, e cila beson …