Ballina / Lajme / Bota / Florida përgatitet për Uraganin Irma

Florida përgatitet për Uraganin Irma

Uragani Irma kaloi mbi pjesën veriore të Ishujve Leeward sot, duke sjellë erëra të forta, ngritje të nivelit të detit me dallgë të larta dhe përmbytje në Barbuda. Në Florida banorët e disa komunave kanë marrë urdhër për evakuim të detyrueshëm megjithëse nuk dihet trajektorja e saktë e uraganit që pritet të godasë këtë shtet brenda 72 orësh.

Irma kaloi mbi ishujt Leeward si një uragan i kategorisë 5, ose më i fuqishmi në shkallën e klasifikimit të uraganëve. Qendra Kombëtare e Uraganëve në Shtetet e Bashkuara tha se meteorologët parashikojnë që fronti atmosferik më aktiv i uraganit të kalojë mbi Antigua, Ishujt e Virgjër Britanikë dhe Amerikanë ose pranë tyre, para se të mbërrijë sonte në Porto Riko.

Një avion që ndoqi itinerarin e uraganit regjistroi pamje të dëmeve të shkaktuara nga era me shpejtësi deri në 297 km/orë. Këto janë erërat më të forta të regjistruara ndonjëherë gjatë një stuhije në Oqeanin Atlantik.

Sot ka filluar evakuimi i detyruar në disa komuna në shtetin e Floridas.

“Individët në nevojë do të evakuohen nga Gjiri i Majamit të mërkurën në mëngjes; zyrtarët lokalë kanë këshilluar banorët që jetojnë në zona të ulëta të fillojnë evakuimin. Të gjithë duhet të ndjekin udhëzimet e zyrtarëve në lidhje me evakuimet e detyrueshme dhe ato në baza vullnetare. Nëse në zonën tuaj ka ardhur urdhri për evakuim, nuk di si ta theksoj më mirë: ndiqeni atë urdhër. Shtëpitë mund t’jua rindërtojmë, por jetët nuk i kthejmë dot,” tha të martën Guvernatori i Floridas, Rick Scott.

Është thuajse e pamundur të parashikohet trajektorja e saktë e uraganit Irma, por sipas meteorologëve, bregdeti i Floridas, nga ana e Oqeanit Atlantik, ose nga ana e Gjirit të Meksikës, pritet të goditet nga uragani brenda 72 orësh.

/VOA/

Loading...

Shikoni gjithashtu

Shenohet 8 Marsi dita Ndërkombëtare e gruas

Sot shënohet 8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Gruas, e njohur edhe si “Dita e …