Ballina / Lajme / Kosovë / FSK pranon pajisje në vlerë prej 9.2 milionë dollarësh, dhuratë nga Ambasada amerikane
Loading...

FSK pranon pajisje në vlerë prej 9.2 milionë dollarësh, dhuratë nga Ambasada amerikane

Në mjediset e kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë, sot u organizua ceremonia e pranim- dorëzimit të donacionit të pajisjeve “Harris”, nga Ambasada e SHBA-ve në Kosovë për Kompaninë e Komunikimit, në vlerë 9.2 milionë dollarë amerikanë.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, zëvendësambasadorja amerikane në Kosovë, Colleen Hylande, këshilltari ushtarak i ministrit, kolonel Fadil Hadërgjonaj, shefi i Shtabit të Komandës së Forcave Tokësore (KFT), kolonel Naim Haziri si dhe përfaqësueses nga Ambasada e SHBA-ve në Kosovë dhe eprorë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Pjesëmarrësit e kësaj ceremonie u njohën nga afër me këto pajisje dhe me funksionin e tyre nga zëvendëskomandanti i Kompanisë së Komunikimit togeri Jeton Ahmeti dhe zëvendësambasadorja amerikane Colleen Hylande, të cilët së bashku bënë disa komunikime të atypëratyshme, për t’i njoftuar të pranishmit për rolin dhe rëndësinë e këtyre pajisjeve, jo vetëm për Kompaninë e Komunikimit por edhe për FSK-në në përgjithësi.

Me këtë rast, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, falënderoi Ambasadën amerikane në Kosovë për bashkëpunimin dhe ndihmën e pakursyer në vazhdimësi për FSK-në. “Ky donacion për FSK-në është mjaft i rëndësishëm pasi që Forca bëhet moderne vetëm më pajisje të tilla moderne. Shpresojmë që në të ardhmen këtë sistem ta përdorim në komunikime të drejtpërdrejta me partnerët dhe aleatët tanë”.

Më pas, mysafirët vizituan edhe pjesëtarët e FSK-së, të cilët për t’u aftësuar në përdorimin e këtyre pajisjeve po ndjekin trajnimin e organizuar nga instruktorët amerikanë.

Edhe gjeneral Rama nga ana e tij falënderoi zëvendësambasadoren amerikane dhe nëpërmjet saj Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, për donacionin dhe mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-të kanë dhënë ndër vite për avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Komandanti i FSK-së, ndër të tjera, foli edhe për rëndësinë e trajnimit që po ndjekin pjesëtarët e FSK-së. “Donacioni i sotëm ka rëndësi mjaft të madhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe po aq i rëndësishëm është edhe trajnimi të cilin e keni organizuar ju për aftësimin e pjesëtarëve tanë në përdorimin e mirëfilltë të këtyre pajisjeve.

Ndërkaq, zëvendësambasadorja amerikane u shpreh e kënaqur me pritjen dhe me vlerësimin që iu bë donacionit nga ana e FSK-së, si dhe vlerësoi lart angazhimin e pjesëtarëve në trajnim, duke thënë se nuk mund të bëhet një përdorim i mirëfilltë i këtyre pajisjeve pa një trajnim të tillë dhe më vjen mirë që i shoh një disponim të tillë për t’i mësuar të gjitha gjërat.

Vlen të theksohet se Ambasada amerikane ka mbështetur Forcën e Sigurisë së Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit si në pajisje ashtu edhe në trajnim për ngritjen profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

/GazetaExpress/

Loading...

Shikoni gjithashtu

NISMA SOCIALDEMOKRATE ARTIKULUESE E VËRTETË E KËRKESAVE TË QYTETARËVE TË KOSOVËS, PËR SHTETIN QË DUAM

Jemi në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për Kosovën dhe fatet e saj të së …

Loading...