Ballina / Lajme / Kosovë / Gjeniu kosovar i dizajnit kërkon ndihmën e Pacollit për ëndrrën e tij: një makinë të shpejtësisë së lartë ‘made in Kosova’
Loading...

Gjeniu kosovar i dizajnit kërkon ndihmën e Pacollit për ëndrrën e tij: një makinë të shpejtësisë së lartë ‘made in Kosova’

Kosova është një vend pjellor talentesh në fushën e dizajnit informatik dhe nuk ka një shpjegim shterues për këtë. Dendësia e talenteve në një sipërfaqe tokësore prej 10 mijë kilometër katrorë është impresionante, dhe nuk besohet se kjo ka lidhje me llojin e tokës.

Duke lënë mënjanë shakatë, Kosova ka një shpërndarje të madhe të internetit për numër banorësh, lulzim portalesh, Shqipëria është shërbyer shpesh prej talenteve të Kosovës dhe për të gjithë këtë, nuk mjafton as shprehja e vjetër « sheh rrushi rrushin dhe piqet ».

Po derisa të gjendet një shpjegim i tillë, Qëndrim Thaqi është ndoshta shembulli më i prekshëm, i kësaj aksiome. E takoj Qëndrimin në terrasën e hotel Swiss, ku dihat plot emocion, pasi ka mundur të realizojë ëndrrën e vet: të takojë Behgjet Pacollin, ndërmarrësin më të madh shqiptar në botë dhe t’i ilustrojë idenë e tij, ndoshta një gjenalitet për të cilin do flitet gjatë nëse do ketë sukses. Një lloj makine e veçantë për nga dizajni, jo thjesht ekstravagant, për të përkëdhelur sedrën për identitet të miliarderëve të Gjirit: sipas Qëndrimit, forma e veçantë, aksesorët, feature-t, e saj i sigurojnë kësaj makine një aerodinamikë të veçantë, e cila mund të arrijë fuqinë 1500 PS dhe shpejtësinë më të madhe në gjithë makinat personale. Materiali i propozuar për makinën, brenda dhe jashtë janë të gjithë të veçantë, dhe këtu jemi brenda fabulës së një makine që besohet se do të ketë përdorues të veçantë dhe çmim unik.

Qëndrim Thaçi është 25 vjeç, dhe ka fytyrën tipike të një gjeniu informatik: i dobët, i hequr, me sy të lodhur, por që vezullojnë. Ai është lindur në Llapushnik të Drenicës, Kosovë dhe ka ikur menjëherë pas luftës, në Trieste ku ka jetuar mbi 10 vjet së bashku me të atin.

Në fisin e vet të afërt -5 vllazni, thotë Qëndrimi, duke ju referuar ndoshta vëllezërve të gjyshit, vetëm gjyshi i tij merrej me bujqësi, ndërsa të tjerët ishin mjekë, ose me profesion. Kjo ishte arsyeja pse i ati sapo kanë shkuar në Itali, ka studiuar për arkitekturë, diçka që mund ta ketë vendosur Qëndrimin e vogël në kontakt me dizajnin dhe vizatimin. Ndonëse me këshillat e të atit ai është bërë teknik dentar, pasioni për dizajnin, i lindur që atëherë, me ndonjë fillesë gjenetike talenti, e shtyn të ndjekë pa kufi dizajnet e makinave. Në Itali nuk ka shkollë të mesme për dizajn transporti, por ai tashmë di shumë për këtë fushë ndaj vendos të ikë në Gjermani.

Prapa çdo burri të zot, ka një grua të veçantë, thotë Qëndrimi, që sipas traditës më të mirë kosovare është martuar herët. Ai ja blaton gruas së tij nga Malisheva, shtysën për t‘ju përkushtuar dizajnit dhe jo përgatitjes së protezave të dhëmbëve. Kështu ai blen një kompjuter profesional, duke bërë hile për licencën që nevojitej për ta blerë dhe duke u marrë me dizajn. Jo thjesht me dizajn, thotë ai, pse unë jam nga pak inxhinier, ndërsa shpjegon sesi formati që ai propozon, reduktojnë ndikimin e ajrit në shpejtësinë e makinës, apo ftohin motorin e saj.

Qëndrimi jeton në Bohningen, prej punës së tij, tërësisht autodidakte. Nuk lexon jashtë fushës së tij, dhe kjo ndoshta do ta kufizojë në të ardhmen, por është tërësisht i fokusuar, në projektim. Duke ndejtur para kompjuterit dhe 24 orë në ditë. Ka vendosur kontakte me njerëzit e fushës së kompanive më të mëdha dhe luksoze si Porsche dhe Bugati, apo dhe të tjera. Ka realizuar diçka për to.

Por ëndrra e tij është të bëjë diçka për Kosovën dhe në Kosovë. Ndaj kërkon bashkëpunimin e Pacollit për ta mundësuar këtë ide për të cilën ende nuk jepen hollësi. Përpara ndërmarrësit më të madh shqiptar në botë, gjendet një dilemë e ngjashme me atë që ju paraqit në 1997 –ën e largët, kur ekipi themelues i Google-it, i kërkoi financim për idenë e tyre. I lashë të prisnin pak, në radhën e atyre që donin të më takonin. I dëgjova, por me keqardhje i thashë se kjo nuk është fusha ime-ka thënë Pacolli në një intervistë të paradokohshme.

Fusha e prodhimit të makinave është diçka tjetër dhe të presim se ç-do të prodhojë ky takim, për të cilin Qëndrim Thaçi thotë se është përmbushja e një ëndrre, ndërsa me dy duart lart i drejtohet zotit.

/Konica.al/

Shikoni gjithashtu

Kush është Manuella Koni dhe pse është e nevojshme për një mandat në Kuvendin e Kosovës…?

Bëhet fjalë për kandidaten për deputeten nga radhët e PEK-ut, Manuella Koni, e cila beson …