Ballina / Lajme / Kosovë / I riu serb: Në Serbi ka shumë paragjykime dhe propagandë negative për Kosovën
Loading...

I riu serb: Në Serbi ka shumë paragjykime dhe propagandë negative për Kosovën

Tomislav Perushiq studion gjuhën shqipe në Universitetin e Beogradit. Në edicionin e 36-të të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që po mbahet në Prishtinë, ai po ndjek kurse për të përmirësuar shqipen.

Për dallim prej shumë të rinjve serbë, Tomislavi e sheh më ndryshe realitetin e krijuar në Kosovë.

Në një bisedë me Ekonomia Online, Perushiqi e pranon se në mesin e të rinjve në Serbi ka shumë paragjykime dhe lajme të këqija për Kosovën. Për këtë, ai fajëson politikën.

Perushiqi tregon se interesimi për gjuhën shqipe dhe për Kosovën i lindi gjatë kohës kur punonte me shqiptarët në New York.

Deri në këtë kohë, ai dinte fare pak për shqiptarët. Fajin për situatën mes të rinjve nga Kosova dhe Serbia ai ia vë politikës dhe politikanëve.

Perushiqi iu bën thirrje të rinjve që të mos përcjellin lajme në Serbi, por që të vijnë dhe vetë të krijojnë përshtypje për Kosovën.

“Mund të them që situata ka ndryshuar pak. Po ndryshohet edhe në nivelin politik, por hale kemi situata të pakëndshme, skandale, vetëm për shkak të politikës. Politika ndikon shumë në të rinjtë, manipulimi, propaganda është shumë e madhe. Kam dëshirë me thënë që mos këqyrni lajme në Serbi sepse gjithmonë kemi lajme të këqija. Njerëzit duhet të vijnë këtu, pa paragjykime”, thotë Perushiqi, në një shqipe mjaft të mirë.

Ai, madje, iu bën thirrje politikanëve serbë që Kosovën ta pranojnë si shtet.

“Ju bëj thirrje politikanëve që të vazhdojnë të përparojmë. Edhe ne kemi dëshirë që të hyjmë në BE edhe ju e keni. Por nuk mund të vazhdojmë nëse nuk e zgjidhim çështjen e luftës dhe situatës. Tani për shkak të të rinjve duhet t’i pranojmë Kosovën dhe kosovarët, sikur një shtet fqinj. Ky është realiteti. Por gjithmonë ka ndikim të politikanëve që ndërhyjnë edhe në edukim, edhe në kulturë, në muzikë. Duhet të ndryshohet kjo”, tha ai.

Për t’u treguar më i afërt me shqiptarët, Tomislavi në Kosovë prezantohet shpesh me një emër shqip – Lulzim.

Emri shqiptar nuk është karakteristika e vetme e Perushiqit. Ai çdo ditë në Kosovë por edhe në Serbi bart elemente simbolizuese të Kosovës, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Pantallona të shkurtë sportivë me stemën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), çanta, kuleta dhe mbështjellësi i telefonit me ikonë të shqiponjës, ishin vetëm disa nga elementet që e karakterizonin studentin nga Subotica e Serbisë.

“Unë ndihem mirë kur jam veshur me Kosovën me Shqiponjën… Mendoj që është edhe koha që të ndryshojnë gjerat, që të ndryshojë situata. Mendoj që kjo duhet të fillojë nga ne. Ndryshimi fillon nga unë. Kjo është vetëm si falënderim për mikpritje për kohën e mirë këtu”, tha Perushiq.

/Telegrafi/

Loading...

Shikoni gjithashtu

Kush është Manuella Koni dhe pse është e nevojshme për një mandat në Kuvendin e Kosovës…?

Bëhet fjalë për kandidaten për deputeten nga radhët e PEK-ut, Manuella Koni, e cila beson …

Loading...