Ballina / Lajme / Kosovë / LDK dhe VV drejt koalicionit, ja vendimi që u mor në takimin Kurti-Haziri
Loading...

LDK dhe VV drejt koalicionit, ja vendimi që u mor në takimin Kurti-Haziri

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për e media, ka bërë të ditur që sot janë takuar Albin Kurti dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

“Sot, në mëngjes, në sallën e Grupit Parlamentar të VETËVENDOSJE!-s në Kuvendin e Kosovës, deputeti dhe i nominuari për kryeministër i Lëvizjes sonë, z.Albin Kurti, priti në takim nënkryetarin e LDK-së, z.Lutfi Haziri. Ata diskutuan për situatën e përgjithshme politike në Kosovë dhe për bllokimin institucional të shkaktuar nga PAN-i. Në veçanti, ata konsideruan nevojën e bashkëpunimit midis LV dhe LDK (përkatësisht LAA) për trajtimin dhe harmonizimin e programeve politike e qeverisëse, për çfarë ngarkohen z.Dardan Sejdiu dhe z.Avdullah Hoti që me ekipet respektive të zhvillojnë dhe intensifikojnë takimet dhe bisedimet e përbashkëta në ditët në vijim”, thuhet në komunikatën e VV-së, përcjellë “Bota sot”.

Po ashtu për takimin më herët sot gjatë ditës ka folur edhe nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, i cili tha se ky takim ishte në vazhdën e takimeve të nisura nga kryeministri Mustafa. Ai tha se në këtë takim është diskutuar harmonizimi i plan-programeve mes dy partive, në mënyrë që të shihet mundësia e arritjes së një koalicioni për bashkëqeverisje.

“Është në vazhdën e takimeve realisht, sepse kryetari e ka zhvilluar takimin e parë dhe ne sot kemi diskutuar modalitetet dhe temat që Hoti si shef i grupit parlamentar dhe udhëheqës i ekipit të ekspertëve do t’i diskutojë me VV-në. Natyrisht, se ne përfaqësohemi atje me koalicion. Do të jetë formati një plus dy praktikisht, do të përfshihen ekspertë të LDK-së AKR-së dhe Alternativës, sipas nevojës në mënyrë që të shohim politikat sektoriale të përafrimit, sepse ne përfaqësojmë dy ideologji të ndryshme”, theksoi Haziri.

Por, Haziri nuk ka qenë i qartë nëse do t’i kërkojnë sqarim Vetëvendosjes për dosjet e dërguara në prokurori për qeverisjen e Isa Mustafës sa ishte kryetar i Prishtinës. Megjithatë, ai theksoi se kur të vijnë në këtë nivel të diskutimeve, atëherë do të sqarohen të gjitha çështjet, por pa përmendur dosjet.

“Ne jemi duke punuar në tema që mund të përafrohen, temat dhe çështjet që kanë rëndësi të veçantë natyrisht që ne i bisedojmë brenda dhe bisedat e brendshme janë të brendshme dhe i trajtojmë si të tilla kur të vijë koha do të jeni dëshmitar të të gjitha çështjeve që janë diskutuar dhe që janë çështje të tretmanit tonë. Natyrisht që janë shumë çështje që do të sqarohen deri në pikën e fundit dhe ky është proces veç sa kemi filluar”, ka thënë Haziri.

Ndryshe, dje u shkëmbyen akuza të ashpra ndërmjet Vetëvendosjes e LDK-së. Zyrtarët e kësaj të fundit i kërkuan VV-së sqarim për dosjet, akuzat, kërcënimet, sulmet fizike që i janë bërë kryeministrit Mustafa, para se të kërkojnë bashkëpunim.

/BotaSot/

Shikoni gjithashtu

Kush është Manuella Koni dhe pse është e nevojshme për një mandat në Kuvendin e Kosovës…?

Bëhet fjalë për kandidaten për deputeten nga radhët e PEK-ut, Manuella Koni, e cila beson …