Ballina / Lajme / Bota / McCain: Amerika, pa drejtim të qartë në Afganistan
Loading...

McCain: Amerika, pa drejtim të qartë në Afganistan

Senatori i Arizonës John McCain tha të enjten se “Amerika është pa një drejtim të qartë” në Afganistan”, ndërsa bëri të ditur një strategji të vetën, e cila përfshin më shumë forca luftarake amerikane dhe përpjekje më të mëdha kundër terrorizmit. Komentet e tij shihen si një kritikë ndaj Presidentit Donald Trump.

McCain, kryetari republikan i Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin kushte të rrepta për vazhdimin e ndihmës në Afganistan, duke kërkuar që Kabuli të demonstrojë “përparim të matshëm” në frenimin e korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e transparencës financiare të qeverisë.

“Pas afro shtatë muajsh të administratës së Presidentit Trump, ne nuk kemi asnjë strategji, ndërkohë që gjendja në terren është keqësuar në mënyrë të vazhdueshme,” tha senatori McCain, njëri ndër zërat kryesorë në Kongres për çështjet e sigurisë kombëtare. “Mijëra amerikanë që rrezikojnë jetën në Afganistan meritojnë më shumë nga komandanti i tyre i përgjithshëm,” tha ai.

Zoti McCain tha se do të kërkojë një votim për strategjinë e tij kur Senati të kthehet në shtator dhe të debatojë për projektligjin e përvitshëm mbi politikën e mbrojtjes. Plani i tij nuk specifikon se sa forca amerikane shtesë duhet të dërgohen në Afganistan.

I zhgënjyer nga alternativat që i mbeten në Afganistan, Presidenti Trump e ka shtyrë miratimin e një strategjie ndërkohë që është në kërkim të një plani që do t’i lejonte forcat amerikane të tërhiqen njëherë e përgjithmonë.

Shtetet e Bashkuara kanë rreth 8,400 trupa në Afganistan dhe Presidenti Trump u ka rezistuar deri tani rekomandimeve të Pentagonit për të dërguar 4,000 amerikanë të tjerë për të zgjeruar trajnimin e forcave ushtarake afgane dhe për të forcuar operacionet kundër terrorizmit./VOA/

Shikoni gjithashtu

Kush është Manuella Koni dhe pse është e nevojshme për një mandat në Kuvendin e Kosovës…?

Bëhet fjalë për kandidaten për deputeten nga radhët e PEK-ut, Manuella Koni, e cila beson …

Loading...