Ballina / Lajme / Ministrat e PD dorëzojnë dorëheqjet
Loading...

Ministrat e PD dorëzojnë dorëheqjet

Në Shqipëri zëvendëskryeministrja Ledina Mandija dhe 6 ministrat teknikë të propozuar nga Partia Demokratike dhanë sot zyrtarisht dorëheqjen pas gati afër tre muaj bashkëjetese në qeverinë e kryeministrit socialist Edi Rama.

Emërimi i tyre ishte pjesë e marrëveshjes së arritur natën mes 17 dhe 18 majit, mes zotit Rama dhe drejtuesit demokrat Lulzim Basha, e cila kishte si synim t’i ofronte garanci opozitës për kontrollin e procesit zgjedhor. Sipas kryeministrit detyra e tyre përfundonte me mbylljen e zgjedhjeve, megjithatë ministrat e djathtë vazhduan punën, ndonëse ata nuk u takuan asnjëherë me drejtuesin e qeverisë, e cila gjatë gjithë kësaj kohe nuk u mblodh asnjëherë. Edhe dorëheqja e tyre u bë përmes shkresave të dërguara sot me postë. Kompetencat e tyre pritet t’i kalojnë zëvëndës ministrave deri në formimin e qeverisë së re në mesin e muajit shtator.

Zoti Basha, ndaj të cilit ka patur kritika të shumta për praninë e gjatë të ministrave në qeverisje, kishte shpjeguar se ata do të largoheshin pasi të hartohej një raport për procesin zgjedhor. Sipas pikave kryesore të këtij raporti, fenomeni i shitblerjes së votave ka qenë i përhapur, ndërsa Policia kritikohet se “nuk ishte efektive në parandalimin e korrupsionit zgjedhor dhe aktivitetit të grupeve kriminale që u angazhuan në mbështetje të subjekteve politike”. Raporti po ashtu flet për angazhim të punonjësve të administratës dhe përdorim të burimeve të saj gjatë fushatës.

Zgjedhjet e 25 qershorit u fituan nga Partia socialiste, ndërsa opozita pësoi një humbje të thellë duke reduktuar numrin e deputetëve të saj në parlamentin e ri. Në opozitë, do të jetë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim e cila ndërkohë vazhdon të mbajë katër ministra të saj në qeveri.

/VOA/

Loading...

Shikoni gjithashtu

Kush është Manuella Koni dhe pse është e nevojshme për një mandat në Kuvendin e Kosovës…?

Bëhet fjalë për kandidaten për deputeten nga radhët e PEK-ut, Manuella Koni, e cila beson …

Loading...