Ballina / Lajme / Kosovë / Mustafa takon Bërnabiqin, s’tregon se për çfarë folën
Loading...

Mustafa takon Bërnabiqin, s’tregon se për çfarë folën

Kryeministri në detyrë i Kosovës Isa Mustafa ka takuar në Durrës, në mesin e kryeministrave të tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe homologen e tij nga Serbia, Ana Bërnabiq.

Takimi u zhvillua në kuadër të takimit joformal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, raporton Koha.net. Pos takimit të përbashkët, Mustafa e Bërnabiq kanë pasur edhe një takim kokë më kokë.

Fotografitë që janë dërguar në adresë të e mdiave, e të cilat kryeministri Mustafa po ashtu i ka bërë publike në profilin e tij në Facebook e tregojnë këtë gjë. Por as në Facebook e as një njoftimin zyrtar Zyra e Kryeministrisë nuk tregon se për çfarë biseduan dy kryeministrat.

Bërnabiq, që zëvendësoi Aleksandar Vuçiqin në krye të ekzekutivit, i cili la këtë post për t’u bërë president i vendit, ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ky ishte takimi i parë i kryeministres së Serbisë me kryeministrin e Kosovës.

Më poshtë po e japim të plotë njoftimin e Kryeministrisë rreth takimit në Durrës:

Kryeministri Isa Mustafa ka theksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për bashkëpunim me të gjitha vendet e rajonit, por ka kërkuar që të gjitha vendet e Ballkanit, t’i eliminojnë barrierat që lidhen me qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave si dhe në aspektet tjera.

Gjatë takimit joformal të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku ishin të pranishëm edhe zëvendës presidenti i Bankës Botërore, Cyril Muller e komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, kryeministri Mustafa kërkoi të ndërmerren masat e nevojshme për qarkullim të lirë nga Kosova në Bosnje dhe Hercegovinë si dhe që me Serbinë të zgjidhet çështja e energjisë.

“Ne në Kosovë do të punojmë së bashku me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që të implementojmë idenë dhe programin të cilin e kemi konkretizuar në Trieste të Italisë, si vazhdimësi e takimeve tona në Berlin, Vjenë, Paris. Kemi edhe disa specifika që nuk ndërlidhen vetëm me çështje teknike të implementimit të këtij programi ose këtij plani, por ndërlidhen edhe me disa masa sa i përket qarkullimit të lirë të mallrave me Bosnje dhe Hercegovinën. Duhet evituar regjimin e vizave, sepse na pengon edhe në eksportin e mallrave tona edhe në importin e tyre. Duhet, po ashtu, me Serbinë të zgjidhim njëherë e përgjithmonë çështjen e energjisë në mënyrë që ta funksionalizojmë investimin që e kemi bërë së bashku me Shqipërinë për interkoneksionin e energjisë elektrike. Përmes Bankës Gjermane për Zhvillim kemi investuar mbi 70 milionë euro dhe ai investim ka mbetur jofunksional për arsye të mos implementimit të Marrëveshjes që ne e kemi nënshkruar në vitin 2013 në Bruksel”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa, më tej, tha se duhet të punohet më shumë në evitimin e barrierave jo tarifore dhe të merren parasysh të gjitha praktikat e mira në regjion por edhe në vendet tjera.

“Të punojmë në njohjen reciproke të certifikatave fitosanitare, sepse me këtë rritet shpejtësia e tregtimit dhe ulet kostoja e tregtisë. Ajo që u tha këtu nga z. Muller, nënkryetari i Bankës Botërore, një evidencë që unë e kam këtu përpara flet se këto kosto ne i kemi shumë të mëdha dhe janë shumë disproporcionale në rastet kur ne eksportojmë mallra dhe në rastet kur importojmë. Për shembull, koha e përgatitjes së dokumenteve ose e kapërcimit të dokumenteve për eksport është 62 orë që na merr ne në kufi me vendet tjera, ndërkaq është vetëm 6 orë të importimit të mallrave. Do të thotë është një diferencë prej 10 herë më e madhe, pra 10 herë duhet të presim më shumë ne në kufijtë e vendeve tjera për të rregulluar dokumentet, sesa të tjerët presin në kufirin e Kosovës. Prandaj, është mirë që këtë çështje ta trajtojmë, ta rregullojmë sepse nuk na ndihmojnë vetëm deklarimet dhe vullneti i mirë politik që është këtu. Po ashtu, vlerësoj se duhet të punojmë për njohjen reciproke të kualifikimeve individuale dhe profesioneve ndërmjet nesh, ajo që është në program nacional e theksuam dhe në krijimin e pakove të përbashkëta për tërheqjen e investitorëve, për arsye se jemi vende të vogla dhe me këtë mund të arrijmë që të kemi më shumë investime gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha kryeministri.

Sa i përket digjitalizimit, kryeministri Mustafa, ka theksuar rëndësinë që të ndërtohet infrastruktura që i nevojitet sektorit privat.

“Zhvillimi ekonomik nënkupton para së gjithash respektimin dhe nxitjen e sektorit privat dhe përshtatjen e infrastrukturës së institucioneve publike ndaj sektorit privat. Unë jam shumë i bindur se po që se shumë nga çështjet që pengohen nganjëherë nga institucionet qeveritare, po t’i liheshin sektorit privat, ai do të komunikonte shumë më mirë dhe shumë më lehtë sesa pengesat që nganjëherë i bëhen. Ne jemi të gatshëm që edhe në pikëpamje të politikave tatimore edhe në pikëpamje të politikave doganore, përderisa e zbatojmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit edhe në pikëpamje të trajtimeve tjera jofiskale të harmonizohemi plotësisht me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të lehtësohet bashkëpunimi ynë ekonomik”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Gjatë takimit joformal të kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryeministri Mustafa, ka zhvilluar biseda me homologët nga rajoni si dhe me zëvendës presidentin e Bankës Botërore, Cyril Muller e komisionerin e BE-së, Johannes Hahn.

/KOHAnet/

Loading...

Shikoni gjithashtu

Kush është Manuella Koni dhe pse është e nevojshme për një mandat në Kuvendin e Kosovës…?

Bëhet fjalë për kandidaten për deputeten nga radhët e PEK-ut, Manuella Koni, e cila beson …

Loading...