Ballina / Lajme / Kosovë / Nesër pritet të filloi rigjykimi ndaj ish-kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja
Loading...

Nesër pritet të filloi rigjykimi ndaj ish-kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja

Një ditë pasi e ka dorëzuar mandatin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, tek pasardhësi i tij, Mytaher Haskuka, Ramadan Muja do të ulet sërish në bankën e të akuzuarve për tu përballur me akuzat për veprat penale që lidhen me korrupsionin.

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar për të enjten, shqyrtimin kryesor në rastin ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, i akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Rigjykimi ndaj Mujës dhe zyrtarëve tjerë të Komunës së Prizrenit pritet të mbahet nesër prej orës 10:00.

Gjykata e Apelit, pas kërkesës së bërë nga kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha, me 8 gusht të këtij viti kishte vendosur që rigjykimi ndaj Ramadan Mujës dhe pesë të akuzuarve të tjerë Sadik Paqarizit, Avni Ademaj, Abdullah Tejecit dhe Minir Krasniqit do të bëhet në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Një kërkesë të tillë ishte bërë me arsyetimin se njëra nga veprat për të cilat akuzohet Ramadan Muja, është kallëzim penal i parashtruar nga Gjykata Themelore në Prizren, për pengimin e punës në gjykatë, me rastin e ndalimit të pjesëmarrjes se ekspertëve – gjeodetëve në seancat gjyqësore, ku kryetari i gjykatës dhe një gjyqtar janë dëgjuar si dëshmitarë.

Ndryshe, më 13 mars të vitit 2014, Gjykata Themelore në Prizren, kishte shpallur aktgjykim dënues për Mujën.

I njëjti ishte dënuar me 2 vjet burgim, me kusht që të mos kryej vepër penale për periudhën tre vjeçare. Ndaj Mujës ishte shqiptuar edhe dënimi alternativ i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike për 30 muaj.

Gjykata Themelore në Prizren, kishte shpallur aktgjykim dënues edhe ndaj të akuzuarve të tjerë në këtë rast, Paqarizi, Ademaj, Tejeci, Krasniqi dhe Ukimeri, duke iu ndaluar edhe funksionin e tyre në administratën publike për periudha të caktuara kohore.

Kjo gjykatë, kishte dënuar të akuzuarit për trajtime të papërshtatshme të çështjeve pronësore.

Muja dhe të tjerët ishin akuzuar nga prokuroria për shkak se pretendohej se kishin keqpërdorur pronat komunale të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit

Më pas, prokurori i shtetit, kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Gjykatës së Apelit.

Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Supreme, kishte pranuar ankesën dhe kishte marrë vendim që lënda të kthehet sërish në Gjykatën e Apelit për rishqyrtim nga një kolegj i ri. Gjykata Supreme kishte pretenduar se ekzistojnë mospërputhje të vlerësimit në mes të Gjykatës së Apelit dhe Supremes.

Ramadan Muja, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) që nga viti 2007, për tri mandate rresht ka qenë kryetar i Komunës së Prizrenit, kurse në zgjedhjet e sivjetshme komunale, garën për kreun e kësaj komune e ka fituar kandidati nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Mytaher Haskuka, i cili pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 13 dhjetor, zyrtarisht ka marr detyrën e kreut të Komunës së Prizrenit.

Loading...

Shikoni gjithashtu

Kush është Manuella Koni dhe pse është e nevojshme për një mandat në Kuvendin e Kosovës…?

Bëhet fjalë për kandidaten për deputeten nga radhët e PEK-ut, Manuella Koni, e cila beson …

Loading...