Ballina / Lajme / Kosovë / Partitë ende s’kanë caktuar nënkryetarët e Kuvendit, përpos LAA-së
Loading...

Partitë ende s’kanë caktuar nënkryetarët e Kuvendit, përpos LAA-së

Ndonëse ishte planifikuar të mbahej vazhdimi i seancës së kaluar konstituive, ajo edhe sot dështoi, për shkak të mungesës së kuorumit.

Në këtë seancë ishte planifikuar të zgjidhej kryetari i kuvendit dhe nënkryetarët.

Por, përderisa po pritet që nënkryetarët të zgjidhen, disa prej partive politike në vend kanë konfirmuar për Indeksonline se ende nuk kanë propozuar ndonjë emër, i cili do mund të ishte nënkryetar i kuvendit.

Nga koalicioni PAN, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se brenda PAN-it ende nuk janë marrë me këtë çështje.

Sipas tij, PAN nuk është përcaktuar se kë të kandidojë për nënkryetar të kuvendit.

“Ende nuk jemi përcaktuar për kandidat për nënkryetar të kuvendit, për këtë do të informoheni me kohë”, tha Lekaj.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje çështjen e nënkryetarëve e konsideron çështje aspak urgjente.

Sipas zyrtarit të VV-së, Shkodran Hoti, kjo gjë pritet të diskutohet ditëve në vazhdim, pasi nuk është urgjente.

“Ende nuk është diskutuar çështja e nënkryetarit të kuvendit. Ditëve në vijim do të diskutojmë për këtë çështje, pasi nuk është diçka shumë urgjente. Deri më tani nuk ka pasur as propozim as diskutim për këtë çështje”, tha Hoti.

Partia e vetme që deri më tani e ka zyrtarizuar emrin e kandidatit për nënkryetar të kuvendit është koalicioni LAA.

Nga ky koalicion është vendosur që nënkryetar të jetë ish ministri i Kulturës, Kujtim Shala.

Ditëve në vazhdimësi pritet që edhe partitë tjera të vendosin për kandidatët e tyre për nënkryetar të kuvendit.

Seanca e radhës do të mbahet të hënën. Nëse në kuvend do të jenë të pranishëm të gjithë deputetët, atëherë ekziston mundësia që të zgjidhet kryetari I kuvendit dhe nënkryetarët./Indeksonline/

Loading...

Shikoni gjithashtu

Kush është Manuella Koni dhe pse është e nevojshme për një mandat në Kuvendin e Kosovës…?

Bëhet fjalë për kandidaten për deputeten nga radhët e PEK-ut, Manuella Koni, e cila beson …

Loading...