Ballina / Lajme / Kosovë / PDK diskutoi rreth kandidatëve për kryetarë komunash, s’përmenden emra

PDK diskutoi rreth kandidatëve për kryetarë komunash, s’përmenden emra

Partia Demokratike e Kosovës ende nuk i ka bërë publikë emrat e kandidatëve për kryetar të komunave, ani pse kanë mbetur edhe tri ditë deri tek përfundimi i afatit për dërgimin e emrave të kandidatëve dhe listat për asambleistë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Për të diskutuar emrat për kandidatë për kryetar komunash, Kryesia e PDK-së sot ka mbajtur mbledhje, pas së cilës u tha se ka qenë mbledhje e rregullt në vazhdën e përgatitjeve për zgjedhjet e 22 tetorit.

Anëtarja e Kryesisë së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha pas kësaj mbledhje se diskutuan për zgjedhjet lokale, porse nuk dha asnjë detaj nëse kanë caktuar ndonjë emër për kandidatë për kryetarë të komunave apo jo.

“Takimet e kryesisë janë të rregullta që kanë për qëllim organizimin e të gjitha strukturave dhe mobilizimin e strukturave për zgjedhjet e 22 tetorit. Kemi diskutuar kryesisht rreth listave kandiduese dhe kandidaturave të mundshme për kryetarë të komunave dhe ishte një diskutim i mirë, i frytshëm brenda Kryesisë së PDK-së për procesin e zgjedhjeve lokale, që shumë shpejt do të futemi”, tha Deliu-Kodra.

Ditëve të fundit është raportuar se degët e PDK-së në Skenderaj dhe Drenas kanë pasur probleme, meqë ka pakënaqësi me kandidatët për kryetarë, porse Deliu-Kodra nuk ka dhënë shumë detaje rreth këtyre, duke thënë se kanë diskutuar për të gjitha degët.

Ajo theksoi se PDK edhe në zgjedhjet e 22 tetorit do të dalë me platformën me të mirë për qytetarët.

“Edhe ashtu ishte takim i rregullt i Kryesisë së PDK-së. Kemi diskutuar për të gjitha degët. Natyrisht se do t’u përmbahemi rregullave ligjore për të dalë me kandidatura dhe lista. Ajo që është thënë tanimë është se ka një interesim të shtuar të personaliteteve, mbi 300 personalitete, të cilët do të jenë pjesë e listave zgjedhore të PDK-së. PDK edhe kësaj radhe do të garojë me platformën me të mirë për të ofruar me të mirën për qytetarët dhe për të fituar bindshëm në ato komuna ku ne jemi në opozitë dhe për të rikthyer fitoren fuqishëm në ato komuna ku qeverisim tash e sa vite”, tha tutje ajo.

Në zgjedhjet e 22 tetorit, pos disa kandidatëve që janë aktualisht e do të rikandidohen, Deliu-Kodra tha se do të ketë edhe emra të rinj.

“E kemi thënë në ditët më herët që do të ketë emra të rinj, do të ketë edhe kandidatë që tashmë janë dëshmuar si kryetarë të komunave dhe si kandidatë të suksesshëm në komunat ku ne qeverisim tash e disa mandate, por gjithsesi do të ketë edhe emra të rinj që do të jenë freskim për zgjedhjet e 22 tetorit”, shtoi ajo.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 22 tetor, derisa partitë politike kanë afat për t’i dorëzuar në KQZ, listat me kandidat për asamble dhe kandidatët për kryetar të komunave deri me 22 gusht në orën 24:00.

/KOHAnet/

Loading...

Shikoni gjithashtu

Shenohet 8 Marsi dita Ndërkombëtare e gruas

Sot shënohet 8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Gruas, e njohur edhe si “Dita e …