Ballina / Lajme / Bota / Privatizim i luftës së SHBA-s në Afganistan?
Loading...

Privatizim i luftës së SHBA-s në Afganistan?

Ndërsa Shtëpia e Bardhë vazhdon shqyrtimin e politikës në Afganistan, Presidenti Donald Trump thuhet se po studion një propozim për të privatizuar një pjesë të madhe të luftës së SHBA atje. Plani është kryesisht një propozim i themeluesit të kompaninë private Blackwater, Erik Prince.

Siç njofton Bill Gallo i Zërit të Amerikës, edhe pse plani është kritikuar si në Kabul ashtu edhe në Uashington, Prince është optimist se do të marrë mbështetje të mjaftueshme për ta çuar përpara projektin.

Afganistan. Është lufta më e gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe madje zyrtarët e lartë të Pentagonit e pranojnë se SHBA nuk po fitojnë. Erik Prince është themeluesi i firmës Blackwater.

“Vetëm në Afganistan, Shtetet e Bashkuara shpenzojnë më shumë se i tërë buxheti britanik i mbrojtjes. Amerika nuk mund të vazhdojë kështu gjithmonë.”

Në një intervistë me Shërbimin Afgan të Zërit të Amerikës, Prince thotë se ai dhe kompania e tij e re mund ta zgjidhin problemin madje me një pjesë të kostos.

Prince vlerëson se do të kursente mbi 30 miliardë dollarë në vit – duke dërguar rreth 5,000 kontraktorë privatë për të zëvendësuar trupat amerikane që aktualisht këshillojnë forcat afgane.

Kontraktuesit do të vishnin uniforma ushtarake afgane dhe do të vepronin sipas rregullave afgane të angazhimit luftarak.

Do të angazhohej gjithashtu një forcë ajrore private me 90 aeroplanë, në koordinim me Kabulin.

“Ajo do të garantonte kontrollin, sovranitetin afgan dhe në një mënyrë afgane, për të luftuar kundër armiqve terroristë”.

Por jo të gjithë janë të bindur. Laura Dickinson, e cila studion ushtritë private, foli me Zërin e Amerikës me Skype.

“Nëse gjërat shkojnë keq, Shtetet e Bashkuara mund të vihen para përgjegjësisë dhe ne e dimë nga përvojat e kaluara se pa planifikimin e duhur, kur ka një fluks masiv kontraktorësh, gjërat nuk shkojnë mirë”.

Në vitin 2007, katër roje të firmës Blackwater u akuzuan për vrasjen e 14 civilëve irakianë në Bagdad. Megjithëse Eric Prince e shiti kompaninë në vitin 2010 dhe tani ka një kompani të re, incidente të tilla mund ta komplikojnë propozimin e tij.

Qeveria e Afganistanit ende nuk i është përgjigjur zyrtarisht planit.Por një zyrtar i lartë afgan i tha Zërit të Amerikës se “plani ka probleme ligjore … gjithashtu ngre pyetje rreth marrëveshjeve me SHBA për sigurinë e ndërsjelltë.” Ish-presidenti afgan Hamid Karzai ishte edhe më kritik … duke komentuar në Twitter ai tha se e kundërshton “me forcë” planin, duke e quajtur atë një “shkelje të hapur” të sovranitetit kombëtar të Afganistanit.

Ka pasur gjithashtu kritika për mënyrën e organizimit të planit, i cili përfshin funksione të epokave koloniale, si mëkëmbës mbretëror, për të drejtuar operacionet.

“Mendoj se zyrtarët afganë do ta mbështesin planin pasi të jenë bindur se mëkëmbësi nuk ka për qëllim të qeverisë Afganistanin, por më tepër të koordinojë përpjekjet amerikane të luftës”.

Zotit Princ gjithashtu do t’i duhet të bindë Presidentin Donald Trump për ta pranuar planin. Njoftohet se Presidenti “po shqyrton aktivisht” propozimin, por nuk ka marrë përkrahje nga zyrtarët e lartë të Pentagonit.

Zoti Trump u tha gazetarëve të enjten se po i afrohet një vendimi për Afganistanin.

“Jemi shumë afër, është një vendim shumë i rëndësishëm për mua. Trashëgova një kaos të vërtetë, por do ta bëjmë shumë më pak kaotike”.

Nuk është e qartë nëse kjo përfshin edhe ushtrinë private të propozuar nga zoti Prince./ VOA/

Loading...

Shikoni gjithashtu

NISMA SOCIALDEMOKRATE ARTIKULUESE E VËRTETË E KËRKESAVE TË QYTETARËVE TË KOSOVËS, PËR SHTETIN QË DUAM

Jemi në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për Kosovën dhe fatet e saj të së …

Loading...