Ballina / Lajme / Kosovë / Pushtetarët ngarendin pas hajnive, nuk e paditën Serbinë për gjenocid ndaj shqiptarëve
Loading...

Pushtetarët ngarendin pas hajnive, nuk e paditën Serbinë për gjenocid ndaj shqiptarëve

Muhamet Kelmendi: Dëmi material shkon në 25 miliardë euro, ndërsa dëmi moral kalon mbi 20 miliardë euro.

Po mbushen gati dy dekada që nga përfundimi i luftës së fundit në rajonin e Ballkanit, luftës në Kosovë, të shkaktuar nga regjimi kriminal serb, e cila pjesërisht pati prekur me pasojat e veta edhe Shqipërinë në fqinjësi, por ende shteti i Kosovës, sikur edhe ai i Shqipërisë, po flenë për ta paditur së bashku Serbinë fashiste e gjenocidale, për gjenocidin ndaj qytetarëve të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998/99 dhe po ashtu edhe për të kërkuar realizimin e dëmshpërblimit të të gjitha dëmeve të luftës. As Kosova dhe as Shqipëria nuk po e bëjnë këtë hap në pikëpamje juridike për të ushtruar padi ndaj Serbisë për gjenocid dhe kompensim të dëmeve të luftës, për ta vënë me shpatulla për muri këtë shtet rusofil e gjenocidal për shumë shekuj kundër shqiptarëve dhe tokave e pasurive të tyre. Në vend se të merren me këtë çështje tepër të rëndësishme për vetë qytetarët e dëmtuar, por edhe për ekonominë dhe bizneset e plaçkitura të shtetit të Kosovës, të dyja qeveritë tona shqiptare, në të dyja shtetet, po fitohet përshtypja se po merren vetëm hajnitë dhe krimi i organizuar, që janë bërë pjesë e pandashme e kupolave qeveritare, ndërkaq që kanë harruar për gjenocidin e paparë të ushtruar hapur para syve të botes ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe dëmet dhjetëra miliardësh nga flakëvëniet në masë dhe djegiet dhe shkatërrimet e pronave të qytetarëve dhe bizneseve legale në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Kelmendi: Dëmi material shkon në 25 miliardë euro dhe ai moral në mbi 20 miliardë

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se përgjegjësia është tepër e madhe për institucionet e të dyja shteteve që nuk po e iniciojnë një çështje të tillë. Kelmendi rikujton se çështja e shpërblimit të dëmit moral dhe atij të kompensimit të dëmit material rrjedhin kryesisht nga vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare, mbi të cilin nxirret vendimi mbi krimet e luftës apo mbi gjenocidin. Mirëpo, ai thotë se dëmi i krijuar kompensohet e shpërblehet edhe pa një vendim të tillë, sepse këtë duhet ta mundësojë legjislacioni i secilit shtet sovran, në këtë rast sikur është edhe shteti i Kosovës. “Në çdo ligj, të çdo shteti, si dhe në aktet ndërkombëtare mbi krimet dhe gjenocidin, kemi përgjegjësi materiale dhe penale. Përgjegjësia materiale rezulton kryesish në vendin ku është kryer vepra. Edhe ajo penale nxirret sipas kompetencës lëndore dhe territoriale. Me këtë dua të them se Kosova i ka pasur dy rrugë për të zhvilluar proces kundër dëmit material dhe moral dhe natyrisht se vetëm një mundësi është për gjenocid, përkatësisht ekzistimi i subjektit shtetëror si anëtar i OKB. Në rastin e dëmit material dhe moral, pavarësisht se çka thonë politikanët dhe gjoja ekspertët, sikundër e kam dëgjuar z. Enver Hasanin etj… etj., se gjykatat e vendit nuk janë kompetente, dua të përkujtoj se shtetet paditin shtetin dhe qytetarin e shtetit tjetër në shtetin e vet, nëse aty është kryer dëmi”, është shprehur Kelmendi. Ai thotë të jetë i mendimit se gjykatat në Kosovë po iu bëjnë padrejtësi qytetarëve të Kosovës kur po i refuzojnë paditë e tyre me arsyetim të inkompetencës. “Vetëm fakti se dëmi dhe krimi e gjenocid i kryer në Kosovë mjafton që gjykata të veprojnë dhe të marrin vendim. Vetëm çështja e një vendimi të karakterit gjenocidal është çështje që duhet të ngrihet nga Tirana se Shqipëria është anëtare e OKB-së. Dhe, këtë s’mund ta ndalë askush, përveç vetes së vetë, sikundër është edhe duke vepruar”, theksoi profesor Muhamet Kelmendi. Ai thotë se çështja pse nuk veprohet kështu është sepse dëmi material shkon në 25 miliard dhe demi moral në mbi 20 miliardë të tjerë, duke marrë për bazë vrasjet, dhunën e gjenocidin; dhunimet e mbi 20 mijë femrave shqiptare dhe dëbimet e mbi 1 milion vetave.”Këto janë dy çështje që mendoj se rrjedhin nga mungesa e vullnetit të pushtetarëve në Tiranë dhe në Prishtinë. Ndoshta ka edhe elemente të tjera, qoftë të brendshme, qofte të jashtme. Dhe, kur të marrim për bazë, përkatësisht faktin se si tash e një decenie po diskutohet me shtetin serb në Bruksel, del se pushtetarët në Prishtinë janë vegla në duar të faktorëve të jashtëm, për të mos thënë në shërbim të Serbisë, derisa fshihen këto dhe kurrë as presidenti, as kryeministri dhe as ndonjë ministër, qoftë edhe ministrja për dialog, nuk i kërkuan këto dëme të kompensohen”, ka theksuar Kelmendi për “Kosova Sot”. “Janë kryer krime nga më të rëndat dhe gati të gjithë emrat dihen. Shteti është i njohur dhe ata duhet të akuzohen për dhunë, krim dhe gjenocid. Çdo ditë që kalon është më e rëndë, sepse faktet dhe dëshmitë humbin dhe ato vepra është vështirë për t’u argumentuar me kalimin e gjatë të kohës”, tha Muhamet Kelmendi.

Image

 

Edhe analisti Xhevat Sefaj pohon se është e pakuptimtë se si pas 17 viteve ende nuk ka hapa konkretë si nga shteti i Kosovës, por as nga shteti amë, Shqipëria, që të kërkojnë drejtësi ndërkombëtare ndaj Serbisë fashiste gjenocidale, e cila që 100 vite punon dhe i lufton shqiptarët në Ballkan. “Nëse nuk kanë mundur ta bëjnë individualisht Kosova dhe Shqipëria, kanë mundur ta bëjnë bashkërisht, nëse Kosova ka pasur pengesa ligjore në ngritjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocid, Kosova i ka faktet e gjenocidit serb ndaj Kosovës. Nëse Shqipëria nuk ka pasur fakte të mjaftueshme, (edhe pse realisht fakte ka mjaft) Shqipëria e ka pasur të drejtën të ushtrojë padi ndaj Serbisë si anëtare me të drejta të plota në OKB”. Ai ka shtuar se shtatëmbëdhjetë vjet pas masakrave të luftës në Kosovë ende nuk ka drejtësi për mbi 12 000 persona të vrarë përgjatë luftës së zhvilluar në Kosovë, në arkivat e Kosovës ka mjaft fakte për vrasjet, dhunën, shkatërrimet dhe krimet e zhvilluara në Kosovë përgjatë viteve 1998- 1999. “Vrasjet, masakrimet, dëbimi i popullatës shqiptare nga Kosova, varrezat masive, vrasjet e të rinjve, femrave, pleqve, fëmijëve, intelektualëve, dhunimet e femrave, rrëmbimi i të rinjve dhe të tjerëve, dërgimi dhe vrasja në Serbi, helmimet. Janë dëbuar nga Kosova rreth 1 milion banorë, janë dhunuar mbi 20.000 femra shqiptare, janë shkatërruar -djegur mbi 100.000 shtëpi banimi, objekte shkollore, shëndetësore, kulturore e fetare. Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq, 17 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë vazhdojnë të mbesin të zhdukur 1,666 persona. Prandaj, duke e pasur parasysh projektin gjenocidal serbë ndaj shqiptarëve, e luftën e pandërprerë që po e bën shteti serb ndaj shtetit të ri të Kosovës, duke luftuar në të gjitha format që Republika e Kosovës të mos anëtarësohet në organizatat ndërkombëtarë si shtet i barabartë më të gjitha shtetet e botës demokratike, është momenti i fundit që Kosova t’i ndërpres negociatat pa kushte, negociatat e pakuptimta që nuk i kanë sjellë asgjë të mirë shtetit të ri të Kosovës”, theksoi analisti Xhevat Sefaj

 

Kuçi: Paditë është dashur të bëhen menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Politologu Gurakuq Kuqi, drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, thotë se, sikur në shumë fusha të tjera të ngecjes së shtetndërtimit dhe fuqizimit të sovranitetit të shtetit, edhe në këtë çështje Kosova fatkeqësisht nuk po arrin assesi të tregohet e aftë për të ndërtuar një shtet funksional, por edhe vetë ekzistencën e mban nga siguria e NATO-s, përndryshe është treguar shtet pothuajse i dështuar.”Fajtorë për këtë është klasa politike, e cila çdo vit që nga shpallja e pavarësisë e ka harxhuar veten me ballafaqime politike për fitimin apo ruajtjen e pushtetit dhe jo ndërtimin e shtetit. Kur jemi tek padia e Kosovës ndaj Serbisë për krime dhe reparacione në Kosovë, është dashur të ndodhë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Një veprim i tillë do ta ballafaqonte Serbinë me realitetin dhe do të hiqte nga mendja memorandumet famëkeqe për zhdukjen biologjike të fqinjëve, ekskluzivisht shqiptarëve. Serbia do të ishte shumë më serioze dhe më e kujdesshme në bisedimet me Kosovën dhe sjellja e saj ndërkombëtare do të ishte krejt ndryshe. Kështu, Kosova do të kishte dy dokumente nga GJND-ja që e gjunjëzojnë mendësinë kriminale të politikanëve serbë, atë të vendimit për të drejtën e shpalljes së pavarësisë dhe vendimin për krime dhe pagesën e reparacioneve ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare. Por, klasa e ashtuquajtur politike në Kosovë për asnjë moment as nuk diti dhe as nuk deshi që ta materializojë as vendimin e GJND-së për të drejtën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, e lëre më me shumë”, është shprehur Kuqi. Sipas tij, një padi të tillë mund ta kundërshtonte edhe BE-ja.”Por, duhet seriozitet dhe konkretizim dhe përkrahja nga SHBA-ja do të merrte edhe përkrahjen nga BE-ja.

(Kosova Sot)

Loading...

Shikoni gjithashtu

NISMA SOCIALDEMOKRATE ARTIKULUESE E VËRTETË E KËRKESAVE TË QYTETARËVE TË KOSOVËS, PËR SHTETIN QË DUAM

Jemi në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për Kosovën dhe fatet e saj të së …

Loading...