Ballina / Lajme / Serbia tërhoqi diplomatët nga Shkupi
Loading...

Serbia tërhoqi diplomatët nga Shkupi

Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ka tërhequr të gjithë stafin nga ambasada e saj në Shkup.

Aktualisht nuk ka njoftime për këtë vendim të diplomacisë serbe dhe as autoritetet maqedonase nuk e dinë arsyen.

Ambasada serbe u kishte kërkuar autoriteteve në Shkup përforcimin e sigurisë së objekteve të ambasadës, gjë që ministria e rendit e kishte bërë, sipas njoftimeve të policisë për median.

Stafi i ambasadës serbe është thirrur për konsultime urgjente në Beograd, thuhet në një njoftim të agjencisë serbe të lajmeve ‘Beta’.

Ambasadorja Dushanka Divjak Tomiç megjithatë nuk i kishte shpejguar agjencisë shkaqet e tërheqjes së stafit, ndërsa i kishte thënë se ministria e jashtme e Serbisë do të jepte më tepër hollësi ditën e hënë.

Ndërkaq, ministria maqedonase e punëve të jashtme ka pohuar për mjetet e informimit në Shkup se ka pranuar një notë nga ambasada e Serbisë për tërheqjen e stafit, por pa u njohur me arsyet.

M.p.j. e Maqedonisë thekson se është në komunikim me autoritetet në Beograd për të mësuar shkaqet e këtij veprimi.

“Sipas përcaktimeve të Konventës së Vienës për marrëdhënie diplomatike, institucionet përkatëse të Republikës së Maqedonisë ndërmarrin masa për mbrojtjen e sigurisë së integritetit të ambasadës së Republikës së Serbisë në Shkup”, thuhet në një komunikatë të m.p.j.-së maqedonase.

Serbia kishte raporte shumë të mira me pushtetin e kaluar në Maqedoni, por kjo nuk mund të thuhet edhe për pushtetin aktual.

Ministri serb i punëve të jashtme, Ivica Daçiç, jo një herë ka theksuar në disa muajt e fundit se vendi i tij kishte gabuar, që e kishte njohur fqinjin jugor me emrin kushtetues “Republika e Maqedonisë” dhe jo me referencën ndërkombëtare “FYROM”.

Ndërkaq, presidenti Aleksandar Vuçiç gjatë fushatës presidenciale e përmendte Maqedoninë në një kuptim pezhorativ për “kaosin që mbretëronte atje në prag të ardhjes së social-demokratëve në pushtet”.

Një agjent i shërbimit të sigurimit serb, ndërkaq qe vërejtur brenda ndërtesës së parlamentit të Maqedonisë gjatë trazirave të 27 prillit, kur turma e protestuesve hyri me dhunë dhe rrezikoi jetët e deputetëve, duke lënduar fizikisht kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev dhe në veçanti duke i shkaktuar lëndime të rënda drejtuesit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Autoritetet serbe patën thënë se agjenti po bënte punën e tij; se po shikonte nëse shtetas serbë ishin të përfshirë në ato trazira.

/VOA/

Shikoni gjithashtu

Kush është Manuella Koni dhe pse është e nevojshme për një mandat në Kuvendin e Kosovës…?

Bëhet fjalë për kandidaten për deputeten nga radhët e PEK-ut, Manuella Koni, e cila beson …

Loading...