Ballina / Lajme / Shqipëria votoi, rezultatet preliminare nuk priten sot (Video)
Loading...

Shqipëria votoi, rezultatet preliminare nuk priten sot (Video)

Në Shqipëri u mbyll procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare. Partia Socialiste pretendon fitoren. Optimizëm ka edhe nga Partia Demokratike.

Megjithëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyu me 60 minuta – për në orën 20.00 – mbylljen e procesit të votimit, për të nxitur një pjesëmarrje më të madhe, sërish përqindja mbeti e ulët. Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, raporton Zëri i Amerikës, pjesëmarrja ishte ne 45.17 për qind, nga 53 për qind që morën pjesë në votimet e 2013. Temperaturat e larta dhe Festa e Bajramit janë vlerësuar nga KQZ-ja si shkaqet që mund të kenë ndikuar pjesëmarrjen në zgjedhje.

Pas përfundimit të votimit ka nisur menjëherë transferimi i kutive drejt qendrave të numërimit në 90 Komisionet zonale. Ndërkohë, partitë politike kanë nisur të shprehen për rezultatin e pritshëm.

Në një mesazh telefonik dërguar deputetëve socialist, Edi Rama shprehet optimist për fitoren.

“Sipas të gjitha të dhënave, timonin do ta kemi. Ju lutem, ju lutem, ju lutem, mobilizim total për çdo votë në numërim dhe qetësi e durim ndaj çdo provokimi! Na duhet proces i pastër dhe i pakontestueshëm”, shkruan zoti Rama në mesazhin e tij.

Optimizëm dhe nga ana e kreut demokrat Lulzim Basha.

“Procesi vazhdon akoma, por sipas raportimeve tona të strukturave të Partisë Demokratike, unë jam shumë optimist për rezultatin tonë dhe për fitore”, u shpreh në një deklaratë për mediat kreu demokrat ndërsa theksoi se.

Lëvizja socialiste për Integrim nga ana e saj foli për një humbje të socialistëve.

“Timoni perëndoi bashkë me bandat e Rilindjes. Shqipëria foli. Të gjithë në këmbë për të mbrojtur verdiktin e shqiptarëve”, tha ish kryetari i LSI-së Ilir Meta.

Në këto zgjedhje garuan 18 forca politike, të cilat konkurrojnë mes vete, dhe jo përmes koalicioneve. Partitë kryesore janë ato që kanë patur të drejtën dhe të emërimeve të 720 komisionerëve zonalë dhe rreth 37 mijë të tjerëve nëpër qendrat e votimit

Zgjedhjet e se dielës u ndoqën nga mbi pesëmijë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtar. Misioni ndërkombëtar i monitorimit përbëhet nga 330 vëzhgues nga 43 vende, nga të cilët 255 vëzhgues afatgjatë dhe afatshkurtër të vendosur nga ODIHR-i, 36 parlamentarë dhe punonjës nga Asambleja e OSBE-së, 25 nga Asambleja parlamentare e Këshillit te Europës, dhe 11 nga Parlamenti Evropian.

Procesi i dorëzimit të kutive të votimit është drejt përfundimit, ndërkohë ka filluar numërimi i votave në disa zona.

Numërimi mund të ndiqet në faqen e KQZ-së (që si në Kosovë shpesh bie): KËTU. Po ashtu, në faqen e Top Channel: KËTU.

Rezultatet preliminare priten nesër ose në ditët në vijim. /VoA/MegaPress/

Shikoni gjithashtu

Kush është Manuella Koni dhe pse është e nevojshme për një mandat në Kuvendin e Kosovës…?

Bëhet fjalë për kandidaten për deputeten nga radhët e PEK-ut, Manuella Koni, e cila beson …