Ballina / Lajme / Bota / Shqiptarët 300 vjet në Ukrainë, sa pak dihet për ta!
Loading...

Shqiptarët 300 vjet në Ukrainë, sa pak dihet për ta!

Flasin toskërishten e vjetër, ruajnë kostumet popullore qindravjeçare, festojnë Shën Gjergjin në kujtim të Gjergj Kastriotit. Si kanë mbijetuar në tre shekujt e fundit 5.000 shqiptarët e Ukrainës? Ja një histori që nuk duhet harruar Ngjarjet e fundit në Ukrainë janë prej ditësh në faqet e para të medias botërore.

Konflikti i hapur me Rusinë për shkak të Krimesë (gadishullit ukrainas më shumicë ruse) duket se po i drejtohet pikës së moskthimit me aksionet e dyanshme ushtarake, ku nuk përjashtohet mundësia e një lufte.Dhe në fakt luftërat dhe pushtimet kanë qenë historikisht shkaku që ka detyruar popullata të tëra të zhvendosen në krahina të tjera, e në rastin më të keq në shtete të largëta për t’i shpëtuar persekutimit dhe shfarosjeve.

I tillë është rasti i minoritetit shqiptar që jeton në Ukrainë prej 300 vjetësh. Të shpërngulur nga Korça dhe Pogradeci 500 vjet më parë si pasojë e përndjekjes osmane u nisën në një rrugëtim të gjatë dyshekullor duke kaluar nëpër Maqedoni, Bullgari e Rumani, derisa nga shek XVIII u vendosën në katër fshatra në jug të Ukrainës: Karakurt, Devneskoje, Gjeorgjevka, dhe Gamovra.Studiuesi kosovar, Baki Ymeri, ai rus Aleksandër Novik, por edhe të tjerë shqiptarë që kanë hulumtuar mbi historinë e këtij komuniteti, pohojnë se rreth 5000 banorë të këtyre fshatrave e identifikojnë veten si shqiptarë.

Gjuha që flitet sot në to është një përzierje e shqipes toske me rusishten, ndërsa zakonet, folklori dhe veshjet janë ato të trashëguara nga stërgjyshërit e tyre.Pak histori Disa burime thonë se në fillim të shek XVIII, në anën e majtë të liqenit Jallpug, të shpërngulurit shqiptarë nga viset bullgare, themeluan koloninë Karakurt në stepat e Buxhakut të Ukrainës dhe në kufi me Rumaninë.Në dekadat që pasuan, një pjesë e fshatit u shpërngul në rajonin e detit Azov, rreth 10 km larg brigjeve të tij, ku u themeluan 3 fshatra, Devnenskoje, GJeorgjevka, Gamovra, në të cilat jetojnë ende shqiptarë. Sot, Karakurti ka rreth 2.700 banorë dhe 80 për qind e tyre janë me origjinë shqiptare, të tjerët janë rumunë dhe bullgarë.

Me 8 mijë hektarë tokë ai është një nga fshatrat më të varfër në Ukrainë, ku banorët mund të nxjerrin jetesën kryesisht nëpërmjet blegtorisë dhe më pak bujqësisë. Në vitin 1911, Fan Noli vizitoi Odesan dhe u takua aty me anëtarë të këtij minoriteti, ndërsa mbajti në kishën lokale një meshë. Po kështu, në vitin 1979, At Artur Liolini, kancelari i Kishës Ortodokse Shqiptare nga Bostoni, meshoi në të njëjtën kishë për ta.Përpos këtyre dy ngjarjeve të pazakonta për një komunitet të lënë në harresë, shumë pak është shkruar dhe shumë pak është bërë për këta shqiptarë që prej më shumë se 300 vjetësh jetojnë larg vendlindjes, mes 48 milionë ukrainasve. Është koha për vëmendje Vetëm në vitin 2006 një shoqatë, “Lidhja e Shqiptarëve në Botë”, mori nismën e dokumentimit për herë të parë të realitetit dhe mbijetesës së komunitetit shqiptar të Ukrainës.

Agim Xhemali, i dërguari i saj gjatë vizitës së parë në Odesë, mbeti i befasuar nga fanatizmi me të cilin shqiptarët kishin konservuar gjuhën dhe zakonet e vjetra të paraardhësve.“Duke studiuar mbi spostimin e popullsisë shqiptare të hershme arritëm në përfundimin se kishte shqiptarë si në Bullgari dhe në Ukrainë.Kjo më shtyu mua dhe ‘Lidhjen e shqiptarëve në Botë’ të shkonim në Ukrainë për t’i parë ata dhe për t’i afruar. Shqiptarët e Ukrainës flasin në masën 70% shqip dhe pjesën tjetër e plotësojnë me fjalët ruse”, shprehet ai./albanews/

Shikoni gjithashtu

Kush është Manuella Koni dhe pse është e nevojshme për një mandat në Kuvendin e Kosovës…?

Bëhet fjalë për kandidaten për deputeten nga radhët e PEK-ut, Manuella Koni, e cila beson …

Loading...