Ballina / Fun / Histori / Strategu ushtarak shqiptar që tronditi ushtritë botërore
Loading...

Strategu ushtarak shqiptar që tronditi ushtritë botërore

Gjergj Basta nuk ka qenë vetëm një strateg në fushën e betejës, por edhe shkrimtar shumë i mirë, i cili i ka kushtuar një pjesë të mirë të jetës edhe shkrimit të tri traktateve mbi teknikat ushtarake.

Për vlerën e tyre mjafton të thuhet se, në një botim madhor venedikas të Shtëpisë Botuese “Xhunti”, më 1641 për “ Disiplinën ushtarake universale”, ku ishin përmbledhur veprat e komandantëve më të shquar, nga 12 traktate, dy janë të Gjergj Bastës.

Madje, Basta është i vetmi autor që përfaqësohet me dy vepra në këtë antologji klasike, e cila për kohën e saj kishte vlerat e botimeve më serioze enciklopedike dhe teorike të artit ushtarak.

Vlera e Gjergj Bastës si strateg e teoricien nuk matet vetëm me faktin që veprat e tij kanë qenë literaturë bazë në akademitë e shkollat ushtarake të Europës Perëndimore gjatë shekullit XVII e më pas.

Vlera e veprës së tij zbulohet e ndriçohet edhe nga ndikimi që pati ajo në shkencën ushtarake. Embrionet që mbolli Basta u zhvilluan e u rritën më tej në shekujt që pasuan. Dhe mund të thuhet pa mëdyshje se ai është një nga pararendësit e teorisë së artit ushtarak modern.

Studiuesit kanë vlerësuar si gjeniale veprën e tij “Drejtimi i kalorësisë së lehtë” (1612), armë me të cilën ai kishte shkruar faqe lavdie në shumë fushëbeteja.

E kanë parë këtë edhe si trashëgim të përvojës shqiptare skënderbejane e si transmetim të saj në fushat ushtarake të Evropës Perëndimore.

Ai me siguri e ka njohur këtë përvojë edhe nga babai i tij Dhimitri, i vëllai Nikolla dhe stratiotët shqiptarë me të cilët luftoi edhe i komandoi në beteja. Me shumë të drejtë kjo vepër e Bastës është konsideruar si rregullorja e parë organike e kavalerisë evropiane.

Ajo ishte sanksionimi teorik një procesi në të cilin Gjergj Basta kishte qenë ndër protagonistët kryesorë, ku zhvillimi i kalorësisë kishte përparuar duke u çliruar nga ato lidhjet e ngushta e të tepruara me këmbësorinë, duke ardhur ne shekullin e XVI, si një kalorësi e rritur, me tipare të reja, detyra më të mëdha në lëvizje, mbikëqyrje, sulme të papritura mbi pozicionet e pambrojtura të armikut etj. Por me shumë rëndësi është edhe vepra tjetër e Bastës “ Mjeshtri i përgjithshëm i Kampit”, i botuar në Vendik me 1606, 410 vjet më parë.

Libri është konsideruar si “ ungjilli i vërtetë i komandantit në luftë. Ky Mjeshtër i Përgjithshëm i Kampit nuk është tjetër veçse ai që do të quhej më vonë “ Shefi i Shtabit të Përgjithshëm”, ose numri dy i ushtrisë, sic i thotë Basta zëvendësit të parë të komandantit.

Konceptin e Shtabit të Përgjithshëm dhe të shefit të tij e përpunuan në mënyrë të plotë e të gjithanshme mendimtarë të shquar gjermanët në shekujt e XVIII e XIX.

Mendjet e ndritura të shkencës ushtarake e kishin vënë re lindjen e kësaj nevoje. Gjergj Basta, në këtë zinxhir përpjekjesh zë një vend nderi, sepse ai e trajton ketë çështje qysh në fillim të viteve 1600, kur kushtet teknologjike e politike jepnin pak, ose aspak, mundësi për të parë qartë dhe se niveli i trajtimit që i bën ai “Mjeshtrit të përgjithëm të Kampit”, është më i përparuar se se c’ishte për shembull më vonë koncepti francez i “ shefit të prapavijës” për Shef të Shtabit të Përgjithshëm.

Kjo vepër u përkthye dhe u botua në frëngjisht më 1607 dhe në gjemanisht më 1617, dhe ka njohur një numër të madh ribotimesh gjatë shekullit XVII e në vazhdim.
Gjenerali Gjergj Basta në fushën e luftës u nis nga studimi i dukurive dhe i fenomeneve ushtarake, për të shkruar teori ushtarake dhe për t’u lënë ushtrive dhe udhëheqësve të tyre tri vepra, të cilat u ribotuan në italisht dhe më tej në frëngjisht, në spanjisht e në gjermanisht.

Rregulloret “Udhëheqësi i veprimeve të përgjithshme luftarake”, “Drejtimi i kalorësisë së lehtë”, “Mbi drejtimin e artilerisë” u cilësuan vepra themeltare, mbi bazën e të cilave u ndërtuan dhe funksionuan ushtritë tri armëshe të kohës që janë. Në letërsinë ushtarake evropiane “Drejtimi i kalorësisë së lehtë” çmohet madhore. Ajo ka zënë vend si rregullorja e parë e organizimit të kalorësisë së lehtë.

Me këtë vepër Basta konfirmoi kalorësinë famëmadhe arbëreshe, të cilën autorë francezë, analistë gjermanë deduktonin se “Arbëreshët kërkoheshin e vlerësoheshin shumë në ushtritë evropiane” në shek. XV-XVI. “Kjo vepër, parathuhet në kapak, është një traktat ushtarak origjinal i shkruar nga Gjergj Basta, e dobishme për ushtarët dhe për luftëtarët, e frytshme për kapitenët”.

Të jepje e të mbaje në ushtri, por dhe në beteja një promemorje orinetuese, në atë kohë ishte një përjashtim, një dukuri e mirëpritur.

Të katër pjesët e kësaj vepre ishin një sintezë teorike-përgjithësuese e fakteve, ngjarjeve, luftimeve, personazheve etj., në mënyrën e drejtimit të kalorësisë, në ngritjen dhe përpunimin e një art ushtarak, në njohjen e jetës së luftës, të përpunuar e të përjetuar nga strategu, si dhe mbresa e emocione si luftëtar e si mendimtar.

Pjesa e parë trajton jetën e rëndë ushtarake, detyrat e vështira, përdorimin mjeshtëror të armëve e të pajisjeve mbrojtëse dhe dashurinë e përkujdesin ndaj kalit që nga ushtari i thjeshtë deri te gjenerali.

Kuajt zgjidheshin më të mirët, ata më me vlerë sikur të ishin njëlloj si njerëzit, si kalorësit. Gjergj Basta me vizionin e tij prej ushtaraku ju ka bërë një vlerësim përvojës së kalorësive më të përparuara ushtrive më të mira të kohës. Vendet e Ulëta si Franca, Gjermania, Spanja, Hungaria, Turqia ishin shembujt e zgjedhur, duke i krahasuar dhe arritur në përfundime për çdo detaj të këtij mekanizmi të çuditshëm, por të bukur, siç ishte kalorësia.

Si vërtetues dhe interpretues i qindra rasteve mbetet në fuqi pikëpamja e tij se, vetëm me një stërvitje të kualifikuar, ushtria sapo përleshet trup me trup me armikun, i shkakton atij humbje shumë të mëdha.

Dukuri e përhershme e tyre ishte kacafytja e shpejtë, domethënë ta ndezësh mirë përleshjen, pastaj të tërhiqesh nga sheshi i betejës me t’u dhënë sinjali. Qëndrimi i luftëtarit në kalë prek me gjunjë gati qemerin e shalës, duke u mbledhur krejt, apo i bërë njësh me kalin.

Pjesa e dytë trajton problemet e shpërndarjes dhe disiplinën e ushtarëve nëpër fshatra gjatë luftimit. Duke rreptë- suar moslëvizjen asnjë hap nga pozicioni pa urdhër, ushtaraku i sprovuar me fitore e hidhërime konkrete, rekomandon këshilla si “nga vendi i caktuar për luftim, kalorësi duhet të lëvizë vetëm atëherë kur oficeri do të lajmëronte me anën e katër apo gjashtë kalorësve, të cilët do të sillnin urdhrin”.

Basta shfaqi aftësi si strateg ushtarak duke qenë i qetë, i paepur, në marrjen e masave për vigjilencë, i siguron njerëzit, u ngre moralin, bën planin e çarjes së rrethimit edhe në mes të natës.

Mbledh kolonelët, asgjëson e djeg krejt bagazhin e rëndë, i lehtëson ushtarët nga pesha e armatimit dhe shpërthen rrethimin duke zënë lartësitë me shpejtësi e në heshtje të plotë, në mes të natës. Shpërthen sulmin dhe arrin fitore, duke humbur vetëm 200 luftëtarë, ndërkohë që kundërshtari humbet 12 mijë veta.

Basta sheh në këtë fitore të veçantë, në kulmin e dëshpërimit të ushtrisë, dorën e Perëndisë. Kalorësit e Bastës asgjësonin në një kohë të shkurtër gjithë pasurinë e grumbulluar të kundërshtarit.

Ndaj dhe për disa javë me radhë, venedikasit regjistruan lajme marramendëse, ku thuhet se vlera e plaçkës arrinte në qiell. Interesant është fakti, se Gjergj Basta kishte kurajon të citonte gabimet e tij dhe pasojat, sidomos për marshimet që shtjellohen në pjesën e tretë.

Marshimet ishte lënda ku përshkruhen dhimbjet dhe kënaqësitë e luftimit për të hyrë në luftë i organizuar, me dinjitet dhe për fitore. Errësira e natës dhe kalimet në terrene të vështira, për teoricienin – strateg, mbartin vlera befasuese, dobiprurëse të pallogaritshme. Dy llojet e rreshtimit, në formë hëne e gjysmë hëne, në ecurinë e betejave, janë lënda e pjesës së katërt mbyllëse të veprës.

Vepra e Gjergj Bastës përshkohet nga analiza dhe konkluzione, shpirti i një mendjeje gjeniale. Artin e të luftuarit ai e dëgjoi nëpër këngë e tregime në mjedise arbëreshe, atë të farefisit, e pa dhe e mësoi me të atin, mësues, e përvetësoi dhe e lartësoi në fushëbetejë, e studioi dhe e shndërroi në teori në luftë e pas saj.

Një testament, dëshmi e pa konstatueshme e gjenisë krijuese e një mendimtari të shquar, siç ishte kujtimi dhe nderimi i emrit simbol të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut u përligj.

Vepra e gjeneral Gjergj Bastës është nga të parat që kodifikoi parimet dhe elementet e luftimit të këmbësorisë e të kalorësisë, u përkrah fuqishëm nga kancelaritë ushtarake, nga historianët, nga komandantët dhe nga ushtritë e të gjithë Evropës. Teoria e tij përmbysi doktrinën klasike, të rëndë, të pamanovrueshme, duke e freskuar dhe gjallëruar mendimin e praktikën luftarake me një teori të çliruar nga kornizat e ngurta të sistemit ushtarak feudal. Basta përgjithësoi një epokë.

Në bosht të veprës së tij vuri talentin triumfues të Skënderbeut, përvojën me bollëk të bashkëluftëtarëve arbëreshë, të babait, të vëllait Nikoll, të komandantëve shumëkombësh. Si njohës i përkryer i artit ushtarak, i talentuar për të penetruar në sferën e përpunimit, Gjergj Basta shpjegon detaje të thjeshta duke mbaruar në të ndërlikuarat gjatë formulimit dhe përshkrimit të çdo teze.

Pasqyrimi tri dimensional me syrin kritik, me një gjuhë të kuptueshme e konçize, me shembuj konkret dhe personazhe të paimprovizuar, i japin veprës së tij një tipar tjetër dallues e të respektuar

Dukuria e Bastës ishte shprehja e cilësive dhe e tipareve të natyrës shqiptare, që përputhen me shpirtin e tij të energjisë dhe të karakterit të vendosur, me zotësinë e tij ushtarake dhe cilësitë organizative, sikurse dëshmon Prof. Çabej. “Zotësia ushtarake është e lindur prej kësaj race, ajo i ka ngjitur shqiptarit vulën e ushtarit të përjetshëm.

Natyra e ushtarit është një trajtë e përbashkët karakteri, një atribut konstant i këtij kombi”. Ndër vetitë fiziko-moraleushtarake veçojmë, trimërinë apo kreshnikërinë e tij, ndershmërinë në aleanca, zellin dhe besnikërinë në të shërbyer, nuhatjen e rrezikut dhe të situatave të ndërlikuara, sidomos në shesh të luftës, hollësinë dhe praninë e jashtëzakonshme të mendjes, kurajon e lindur nga jeta me rreziqe, marrjen e nismës së fortë në çastin dhe në vendin e duhur.

Teoricieni dhe strategu i ardhur nga Shqipëria rrëmbeu mendjet e zemrat, adhurimin e konsideratat e mijëra simpatizantëve e komandantëve bashkëkohës, të mjaft personaliteteve me zë pasardhës të Evropës.

Vlerësimet për të janë të shumta dhe të larmishme. Ato japin portretin e plotë të Gjergj Bastës. Në mjaft “Enciklopedi Ushtarake” të Evropës, jepet e njëjta sentencë: “Gjergj Basta ishte gjeneral… me origjinë shqiptare.. Është marrë edhe me letërsi ushtarake… Më i rëndësishëm është traktati “Drejtimi i kalorësisë së lehtë… Kjo vepër… mund të cilësohet si pararendës e letërsisë së mëvonshme për luftimin e vogël”.

Kardinali G. Bentivolio që shërbeu nëntë vjet në Vendet e Ulëta ku strategu shpalosi madhështinë, e quan Bastën “Gjeneral të kalorësisë dhe një komandant i madh”. Studiues të apasionuar nga Franca të Bastës japin mirënjohje të veçanta për teoricienin. Kështu, dy autorë të dëgjuar të artit ushtarak francez, G. Node – P. Bail, nënvizojnë: “Në veprat e shkruara nga Gjergj Basta gjendet shkëlqimi i shprehjes dhe kriteri i sigurt i një udhëheqësi ushtarak të sprovuar”.

Francezi i tretë Zh. Sh. Folardi biograf: “Gjergj Basta ka qenë njeri nga kapitenët dhe burrat më të mëdhenj të kalorësisë së shekullit të tij dhe në të njëjtën kohë autor teorik i çmuar”.

Dukuria Basta ishte shprehje e artit të lashtë ushtarak shqiptar, përsosur në periudhën e Skënderbeut, ishte kontribut me vlerë në artin ushtarak evropian duke futur në të për herë të parë, taktikën dhe strategjinë e kalorësisë së lehtë shqiptare, sintetizuar në veprat e komisarit të përgjithshëm të kalorësisë, shqiptarit Gjergj Basta.

Shikoni gjithashtu

Deshifrohet pllaka 3200 vjeçare arkeologu francez pllaka u takon trojanëve

Arkeologu francez  George Perrot, gjatë vizites së tij në Turqi kishte arritur që të kopjonte hieroglifet …

Loading...