Ballina / Fun / Histori / ‘Sybina’ dhe ‘sica’, dy glosat ilire që flasin shqip
Loading...

‘Sybina’ dhe ‘sica’, dy glosat ilire që flasin shqip

Gjuha e ilirëve të vjetër përbëhet prej një grusht mbijetojcash, kryesisht ndonjë glosë e rrallë, diçka më shumë emra vendesh e personash.

Debati mbi ftillesat e gjuhës shqipe, ose proto-shqipe, vazhdon të jetë i hapur, shkruan Konica.al.

Derisa hipoteza ilire ka një epërësi të dukshme mbi hipotezat e tjera, për shkak të rrethanave historike e gjeografike, një numër studiuesish kanë sjell evidenca të reja që grishin interesim në albanistikë.

Eric Pratt Hamp, studiuesi amerikan 96-vjeçar, është një nga albanologët me karrierën më të gjatë.

Dashuria e tij e përjetshme për shqipen, sistemin e saj fonetik e morfologjik dhe diakroninë e saj, është shkoqitur në mijëra artikuj analitikë, një pjesë e të cilëve janë botuar në ‘Studime krahasimtare për shqipen’ me editor Rexhep Ismajli.

Në vitet ’60, Hamp ndiqte hullinë e profesorëve Eqrem Çabej dhe polakut Wacław Cimochowski, duke iu dhënë të drejtë argumentëve për burimin ilir të shqipes.

Por gjatë dekadave vijuese, profesori nga Universiteti i Çikagos do të bëhej gjithnjë e më mosbesues ndaj kësaj teorie. Mosnjohja e ilirishtes, siç e përsëriste në seminare të ndryshme, e bënte të pamundur identifikimin e pararëndësit gjuhësor të shqipes.

Në dhjetor të vitit 2009, në moshën e shtyrë 88 vjeçare, Hamp erdhi në Tiranë ku mbajti një konferencë mbresëlënëse për dashamirët e shqipes.

Pleqëria e problemet shëndetësore nuk e kishin topitur aspak mendjen e indoeuropianistit amerikan.

Në këtë konferencë, Hamp solli dy evidenca nga ilirishtja, që i kishte studiuar e ristudiuar ndër vite, që ndrynin afërsi bindëse me shqipen.

Glosat ilire ‘sybina’ dhe ‘sica’, që kishin hyrë në leksikun e latinishtes qysh në vjetërsi, u vunë në ekspertizën e gjuhëtarit të njohur.

Profesori amerikan shpjegonte se sybina (ushtë gjahu) dhe sica (thikë) ishin protoformat e fjalëve shqipe ‘thupën’ (para se të ndodhte rotacizmi) dhe ‘thikë’.

Sipas tij, lidhja kuptimore mes tyre është e mjaftueshme sa për ta bërë lidhjen tërheqëse.

Për Hamp-in, këto dy fjalë duhen interpretuar si huazime në latinisht nga një gjuhë që ishte pararëndëse e shqipes, e që në këto rrethana duhet besuar se ishte ilirishtja. /konica.al/

Shikoni gjithashtu

Deshifrohet pllaka 3200 vjeçare arkeologu francez pllaka u takon trojanëve

Arkeologu francez  George Perrot, gjatë vizites së tij në Turqi kishte arritur që të kopjonte hieroglifet …