Ballina / Lajme / Kosovë / “Veseli-Zekës: E di kush je, kujdes se iu tregoj të gjithëve”
Loading...

“Veseli-Zekës: E di kush je, kujdes se iu tregoj të gjithëve”

Fjalimi i ashpër i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, në vazhdimin e gjashtë të seancës konstituive në Kuvendin e Kosovës, ka ngjallur reagime të shumta.

Veseli, pas përplasjes që kishte me kandidatin për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti, ka pasur një replikë edhe me deputetin e Nismës për Kosovën, Milaim Zeka.

Veseli e sugjeroi Zekës të mos qeshte fare, pasi ai u dëgjua duke replikuar me të. Por, Veseli iu drejtua atij me fjalët “Milaim, ku e ke znaçkën se je prej Abrie”.

Deklarata e tij ka ngjallur reagime të shumta të figurave publike, madje shumica e kanë komentuar si negativisht.

Zeka mbron Veselin

Image

Milaim Zeka

Foto galeri

Mirëpo, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deputeti Milaim Zeka, ka sqaruar se fjala e Veselit, nuk është thënë në kontekst negativ.

Sipas tij, qëllimi i kryetarit të PDK-së, ishte që t’i tregonte Vetëvendosjes, se ata nuk “janë më patriotë se sa Milaizm Zeka”.

“Kurgja nuk ka qenë, ajo nuk ka qenë diçka në kontekst negativ. Përkundrazi, Veseli deshi t’i thoshte Vetëvendosjes, që “Milaimi me krejt kontributin e vet që vjen nga një fshat shumë i vlerësuar, megjithatë nuk e ka shenjën e flamurit dhe  kjo nuk do të thotë që ju jeni më patriot se sa Milaimi”. Nuk ka pasur kurrfarë konotacioni negativ në raport me mua”, ka deklaruar Zeka.

Ai ka thënë se përkundër që ka moskuptime me Kadri Veselin, ky i fundit nuk bie në nivel të debateve të tilla.

“Ka pasur reagime të shumta, e di edhe ajo kur ka thënë “mos qesh”, edhe “Mou Albin Kurtit”, por nuk m’u ka drejtuar negativisht. Kam moskuptime me Kadrinë, por me mua ai në ato nivele nuk bie”, ka theksuar Zeka për “Bota sot”.

Kelmendi: “Znaçka mesazh për Zekën”

Image

Jeton Kelmendi

Foto galeri

Por, ndryshe mendon analisti i çështjeve politike Jeton Kelmendi. Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Kelmendi ka vlerësuar se Veseli, përmes përdorimit të “znaçkës”, ka dhënë mesazh të qartë Zekës se ai di të strukturojë propaganda dhe se ka dosje për figura të caktuara politike.

Ai madje ka hedhur dyshime se Veseli mund të ketë informacione se Milaim Zeka mund të ketë qenë agjent serb.

“Mendoj se përdorimi i barbarizmave në gjuhën shqipe nga fjalët e huaja, në Kuvendin e Kosovës, gjegjësisht përdorimi i asaj fjalës sllave nga ish-kreu i Kuvendit dhe aktualisht kryetar i PDK-së, gjegjësisht ish-shefi i organizatës kriminale SHIK, Kadri Veseli, është mesazh i qartë se kjo parti dhe ky njeri strukturojnë mirë propaganda, kanë dosje për figura të caktuara dhe drejtimi që ia ka bërë Zekës, tregon se në njëfarë mënyre ai di diçka, se Milaim Zeka mund të ketë qenë edhe agjent serb. Të paktën në aspektin e teorisë kështu nënkuptohet qasja e Kadri Veselit ndaj tij”, është shprehur Kelmendi.

Tendenca e PAN-it për të frikësuar deputetët

Sipas tij, këto janë taktika të ulëta, me të cilat, PAN, po mundohet të frikësojë deputetët, në mënyrë që të sigurojë votat. Ai ka përmendur edhe mundësinë e largimit të Zekës nga koalicionit PAN, dhe kjo siç ka theksuar ai, bën që koalicioni të ketë një votë më pak.

“Mendoj se kjo është tërësisht jo korrekte, sepse Veseli duhet të bëhet burrë dhe të flas hapur  jo vetëm për Milaim Zekën, por kushdo qoftë se kush ka qenë. Këto janë taktika të ulëta që në fakt jo vetëm PDK-ja, por edhe aleatët e tij si partia e Haradinajt dhe e Limajt, të cilët po vazhdojnë të manipulojnë me demagogji se “i kemi votat, s’i kemi votat”. Këto janë taktika për t’i frikësuar deputetët. Zeka ka thënë disa herë që edhe mund të dalë jashtë koalicionit PAN, që i humb një votë, dhe edhe ashtu nuk po i dalin. Prandaj, ky është një mesazh për ta frikësuar Zekën se “e di se kush je ti, por kujdes se ju tregoj të gjithëve se kush je ti në fakt”. Mesazhi po kuptohet, ai po mundohet që ta mbajë në kontroll Zekën në kuadër të PAN-it”, ka thënë analisti Jeton Kelmendit.

Shantazhi ndaj Teuta Rugovës

Ai tutje ka përmendur edhe rastin e deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Rugova, për të cilën është raportuar se do të votojë në favor të PAN-it, për shkak të vëllait të saj, Ukë Rugovës.

“Kjo është mënyra se si kreu i SHIK-ut tenton t’i shantazhojë të tjerët. Këto shantazhe, po i bëhen edhe deputetes Teuta Rugova, ku duke e shantazhuar vëllain e saj, Ukë Rugovën, i dyshuar për krime ekonomike, po detyrohet që të votojë PAN-in duke qenë në LDK. Prandaj, këto janë metoda të vjetra, metoda që i ka përdorur edhe Serbia e vjetër, dhe të njëjtat po i përdor PAN-i dhe Kadri Veseli, si fytyra e një organizate famëkeqe me prapavijë të tillë”, ka përfunduar analisti Jeton Kelmendi.

/BotaSot/

Loading...

Shikoni gjithashtu

Kush është Manuella Koni dhe pse është e nevojshme për një mandat në Kuvendin e Kosovës…?

Bëhet fjalë për kandidaten për deputeten nga radhët e PEK-ut, Manuella Koni, e cila beson …

Loading...