Ballina / Lajme / Kosovë / Zgjedhjet e reja, zgjidhje e krizës politike apo thellim i bllokadës?
Loading...

Zgjedhjet e reja, zgjidhje e krizës politike apo thellim i bllokadës?

Janë bërë dy muaj që nga publikimi i rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, mirëpo krijimi i institucioneve të reja nuk është bërë ende.

Përkundër, mbajtjes së seancave konstituive të Kuvendit në këto “tentime” për konstituim nuk arrihet ende një zgjidhje.

Koalicioni PAN kishte munguar në tri seanca që ishin paraparë për konstituimin e Kuvendit, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo në koalicion me AKR-në dhe Alternativën si dhe Lëvizja Vetëvendosje i “fajësojnë” ata për bllokim, duke thënë se nuk i kanë numrat për formimin e qeverisë, prandaj dëshirojnë blerje të kohës për t’i blerë deputetët tjerë.

Përplasjet LAA-VV me PAN-in

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se LDK-ja nuk bënë bllokimin e kuvendit.

“Është e qartë se LDK nuk e shkaktoi këtë situatë, se LDK nuk e ka mandatin për Kryetar të Kuvendit dhe as radhën e parë për nominim të Kryeministrit. Prandaj koalicioni i LDK -së s’ka si ta bllokojë e as si ta zhbllokojë situatën. Situatën po e mban peng koalicioni i PDK-së”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Edhe, shefi i grupit parlamentar i Vetëvendosjes, Galuk Konjufca, ka thënë se konstituimi i kuvendit dështon për shkak të bojkotit të koalicionit PAN.

Ai për këtë bllokadë, përveç koalicionit PAN, fajësonte edhe presidentin Thaçi, duke theksuar se ai po e mbështet koalicionin PAN.

Ndërsa, koalicioni PAN “fajëson” partitë tjera për këtë situatë. Sipas tyre, ata nuk bllokojnë kuvendin, mirëpo bllokim kanë bërë të tjerët që kanë vendosur për data të mbajtjes së seancave konsituive pa pëlqimin e tyre.

Përfaqësuesi i koalicionit PAN, Pal Lekaj, ka thënë se dy subjektet politike e bllokojnë punën e konstituimit të kuvendit dhe se deklaratat e tyre se koalicioni PAN bllokon krijimin e institucioneve nuk janë të vërteta.

“Sot dy subjektet politike, duke dashur të përfitojnë sa më shumë kohë, e rrjedhimisht në opinon (sidmos në atë elektoral), janë duke bllokuar pa të drejtë konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e synimi i vërtetë i tyre është bllokimi i krijimit të qeverisë së re. Deklaratat e tyre se koalicioni PAN bllokon krijimin e institucioneve nuk janë të vërteta. Janë vetë dy palë që e bllokojnë krijimin e qeverisë përmes veprimeve të tyre, këto veprime janë në dëm të vendit dhe përmes këtyre veprimeve ata dëshirojnë “blerjen” e kohës për zgjedhjet lokale”, ka shkruar Lekaj në Facebook.

Për zgjidhjen e kësaj krize të krijuar në vend, deputeti nga radhët e LDK-së, Ramiz Kelmendi, thotë se zgjedhjet e reja është rruga që duhet bërë në mënyrë që të mos prishen edhe më tepër raportet e liderëve politikë.

Partitë politike, nuk pajtohen për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kurse analistët politikë shprehen se zgjedhjet mund të ishin zgjidhje e bllokadës politike.

Image

Shkodran Hoti

Foto galeri

Vetëvendosje: Herët të flitet për zgjedhje të reja

Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo e cila ka fituar 31 ulëse në kuvendin e Kosovës thotë se është herët të flitet për zgjedhjet e reja, pasi ende nuk janë mbajtur seancat e rregullta konstituive.

Ata i bëjnë thirrje koalicionit PAN që të marrin pjesë në seancë dhe ta propozojnë kryeparlamentarin e tyre.

“Nuk dëshirojmë të komentojmë deklaratat e deputetit Ramiz Kelmendi, mirëpo Vetëvendosja mendon që është herët të flitet a duhet të shkohet në zgjedhjet e reja pasi që ende nuk janë mbajtur seancat e rregullta. Ne ftojmë që PAN të marrin pjesë në seancë, le ta masin fuqinë e tyre. Ne i bëjmë thirrje që ata të vijnë në kuvend dhe ta propozojnë kryeparlamentarin e tyre dhe ta shohin se a do të kalojë apo jo”, shprehet Shkodran Hoti, zëdhënës për medie në selinë e Vetëvendosjes.

Image

Vesel Makolli

Foto galeri

AKR e gatshme për zgjedhje

Ndërsa, Aleanca Kosova e Re, parti kjo e cila është në koalicion me LDK-në dhe Alternativën, shpreh gatishmërinë e saj për zgjedhjet e reja, mirëpo sipas saj duhet shikuar interesi i vendit fillimisht.

Zyrtari i AKR-së, Vesel Makolli, thotë se ata nuk i frikësohen zgjedhjeve dhe janë më të përgatitur më shumë, mirëpo duhet të shikohet interesi i vendit.

“Ne absulut zgjedhjeve nuk i frikësohemi, bile ne jemi më shumë të përgatitur për zgjedhje se që 1 vit jemi në përgatitje për zgjedhje, jemi duke i zgjeruar përsëri degët e nëndegët se kemi shkuar me planin që çdo fshat duhet të ketë degën tonë, jemi në vlugun e punës, nuk i frikësohemi zgjedhjeve bile më të përgatitur për zgjedhje jemi ne. Mirëpo, shtrohet pyetja ku është interesi i vendit, duhet të jetë atdheu mbi të gjitha ashtu siç ka thënë Ahmet Zogu, prandaj duhet të analizohet cila është më e mira për Kosovën, nuk bënë veç të hudhen ato ide vetëm pse i është tekur Ramizit apo dikujt, sepse unë thashë nuk jam kundër, por duhet të ulemi dhe të analizojmë”, nënvizon Makolli.

Image

Anton Berisha

Foto galeri

AAK kundër zgjedhjeve

Anton Berisha, zyrtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo e cila është në koalicion me PDK-në dhe partinë NISMA, shprehet se Kosova nuk duhet t’ia lejojë vetes që të shkojë në zgjedhjet e reja me këtë sistem zgjedhor.

“Pyetja është: çka do të ndryshojë me zgjedhjet e reja në veprimet e të po njëjtëve liderë? Në fakt, Kosova me nuk duhet t’i lejojë vetes të shkojë në zgjedhje me këtë sistem zgjedhor i cili shmangë vlerën e votës së lirë dhe vlerën përfaqësuese rajonale”, pohon Berisha.

Sipas tij, kushtetuta duhet të modifikohet në mënyrë që të mos ketë situata paradoksale kufizuese demokratike.

“Po ashtu duhet të modifikohet kushtetuta për t’i ikur situatave paradoksale kufizuese demokratike. Në rastin aktual, duhet të votohet udhëheqja e kuvendit duke përfshirë edhe kryetarin ngase votimi është i natyrës formale. Më pastaj, duhet bërë një zgjidhje politike për të formuar qeverinë pa vonesa dhe vendi të ecën përpara”, thekson Berisha.

Image

Blerim Burjani

Foto galeri

Qeveri me Kryeministër jo partiak

Ndërsa, analisti politik Blerim Burjani, pajtohet me propozimin e deputetit të LDK-së Ramiz Kelmendit për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, mirëpo nëse edhe në zgjedhjet e reja rezultati del i njëjtë atëherë do të ketë ngërç politik.

Burjani, si zgjidhje konsideron formimin e një qeverie teknike me një Kryeministër jo partiak.

“Po nëse shkon kështu puna më mirë zgjedhje se ngërç i vazhdueshëm politik dhe i pa parashikueshëm se kur do të përfundojë. Por,  nëse ka zgjedhej dhe për afërsisht del rezultati i njëjtë atëherë do të ketë ngërç politik. Unë mendoj se më së miri është të ketë qeveri teknike me një kryeministër jo partiak për 15 muaj, në menyre që të bëhet një reformë e mirëfilltë e sistemit zgjedhor që do të evidentojë këtë ngërç që e prodhon sistemi zgjedhor proporcional”, përfundon Burjani.

Loading...

Shikoni gjithashtu

Kush është Manuella Koni dhe pse është e nevojshme për një mandat në Kuvendin e Kosovës…?

Bëhet fjalë për kandidaten për deputeten nga radhët e PEK-ut, Manuella Koni, e cila beson …

Loading...